21 Qershor, 2023 - 3:33 pm
Green Fest tash e sa vite vije në sinkron me objektivat e zhvillimit të qendrueshëm, të njohura më konkretisht si SDG, andaj edhe tema e sivjetme është në përputhje me SDG 13 që trajton nevojën për veprim ndaj ndryshimeve klimatike. Me siguri kjo temë ju sjellë në mendje këngën e famshme “Imagine” të John Lennon, teksti i së cilës akoma vlen për njerëzimin. Por,kësaj radhe do të imagjinojmë gjerë e gjatë.
Prej datës 29 qershor deri me datë 2 korrik, edicioni i 13-të i festivalit “Green Fest”, në Mitrovicë sjell para publikut një varg aktivitetesh.
“Green Fest” u krijua si nismë që përmes mediumit të artit dhe kulturës të ndikohet në një ambient më të pastër. Qëllimi i aktiviteteve të këtij festivali për vite me radhë synon të frymëzoj individë, komunitetet dhe shoqëri për të ndërmarrë veprime për të luftuar ndryshimin e klimës.
Në edicionin e sivjetmë programi përbehet nga ekspozita, mbrëmje muzikore, hulumtime etj.
Më 29 qershor mbahet ceremonia hapëse me fillim nga ora 18:30, për të vazhduar pastaj me hapjen e ekspozitës “Wild Kosova” nga Arian Mavriqi dhe mbrëmje muzikore në fund.
30 qershori përfshin prezantim të hulumtimit, ‘Green Kids’ dhe ‘Green Movie’ dhe dy netët tjera po ashtu kanë në program ekspozita, publikime të libërthit, muzikë e aktivitete tjera.
Në mesin e artisteve pjesëmarrës gjatë mbrëmjeve muzikore të festivalit janë edhe Jericho, Eugent Bushpepa, Dren Abazi, Vedat ademi etj. / KultPlus.com