14 Prill, 2022 - 3:50 pm
Pas dy vitesh mbyllje dhe masa të rrepta kufizuese Greqia merr vendimin e shumëpritur. Vendi rikthehet në normalitet menjëherë pas Pashkëve Ortodokse me një plan që përfshin 2 faza zbatuese.
Për sa i përket festës më të madhe të vendit, Pashkëve Ortodokse, masat kufizuese për mbrojtjen nga covid 19 mbeten në fuqi, por pas plot dy vjetësh banorët do mund të udhëtojnë lirshëm brenda dhe jashtë vendit, për të festuar më në fund me familjarët e tyre.
Temperaturat e larta dhe sezoni turistik i shumëpritur për të përballuar sfidat e shumta ekonomike duket se kanë bindur qeverinë greke të hedhë hapin final drejt rikthimit në normalitet, duke ndjekur formulën e mjaft vendeve të tjera të BE-së. Në fazën e parë, nga 1 maj plani i lehtësimit të masave parashikon:
Nuk do të kërkohet më certifikata e vaksinimit për hyrjen në çdo ambient.
Punonjësit do kryejnë vetëm 1 self test në javë për t’u lejuar në punë.
Nga 3 maj anulohen self test të nxënësve dhe studentëve.
Deri në 31 gusht pezullohet numri i kufizuar i personave për ambientet e mbyllura.
Pezullohet gjoba mujore 100 euro për moshat mbi 60 vjeç që refuzojnë vaksinimin.
Faza e dytë fillon nga 1 qershori: Një ndryshim i madh në rutinën e qytetarëve të vendit do të jetë pezullimi i përdorimit të detyruar maskës në ambientet e jashtme dhe të brendshme, hyn në fuqi nga 1 qershor.
Përdorimi i maskës në ambiente të jashtme është prej javësh në vullnetin personal të qytetarëve, por në ambiente të mbyllura akoma edhe në muajin maj rregulli do të vijojë të jetë shumë strikt. Ndërkohë që gjatë verës do mbetet në fuqi përdorimi i maskës në mjetet e transportit si Metro, autobusë, tren, anije, taksi.
Në pritje mbetet një vendim për certifikatën e vaksinimit për hyrjen në Greqi, deri tani mbetet kusht për të gjithë sa duan të udhëtojnë në Greqi. Ministri i Shëndetësisë, Thanos Plevris ka theksuar se të gjitha masat do të rishqyrtohen në 1 shtator 2022, kur dhe nuk përjashtohet disa të rikthehen. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com