14 Dhjetor, 2021 - 3:02 pm
Kanë kaluar më shumë se dy dekada që kur lufta copëtoi Kosovën, por trauma e shkaktuar nga ajo vazhdon ende për Bajram Çerkinin dhe të afërmit e tjerë të atyre që ende konsiderohen të zhdukur.
“Lufta nuk ka përfunduar ende në familjen time”, thotë 82 vjeçari, djali i të cilit, Reshati, është në mesin e të zhdukurve. “Gruaja ime ende i dëgjon hapat dhe zërin e tij gjatë natës”.
Kështu fillon shkrimin për historinë e Çerkinit dhe të zhdukurve të tjerë nga lufta, televizioni francez “France 24”, njofton Klan Kosova.
Mijëra të tjerë u zhdukën – shumë prej të cilëve u rrëmbyen gjatë kohës së spastrimit etnik dhe më vonë u vranë derisa trupat e tyre o hodhën në varre masive, puse uji ose u dogjën.
Në vitet pas luftës, ekspertë të mjekësisë ligjore nga e gjithë bota shkuan në Kosovë në një përpjekje për të identifikuar mbetjet dhe për t’i kthyer në familjet e tyre, si dhe për të dokumentuar krimet e mundshme të luftës. Në disa raste, vetëm copa të vogla eshtrash u gjetën dhe iu dorëzuan familjeve.
Por jo të gjitha u gjetën, 1625 persona janë ende të pagjetur zyrtarisht, sipas autoriteteve të Kosovës.
Mediumi francez vazhdon rrëfimin duke thënë se fati i të zhdukurve është një nga çështjet e shumta të nxehta që pengon bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.
Zyrtarët e Kosovës vazhdojnë të kritikojnë Serbinë për zvarritjen e saj, shpesh duke i akuzuar zyrtarët e saj se refuzojnë të zbulojnë vendndodhjet e më shumë vendeve të varrimit.
Gjatë momenteve të fundit të luftës derisa forcat serbe u tërhoqën nga Kosova në mes të bombardimeve të NATO-s, varrezat masive në gjithë Kosovën u zbuluan shpejt për të marrë eshtrat dhe për t’i kthyer me kamionë në Serbi me synimin për të fshehur provat e krimit.
Që nga fundi i luftës, rreth 1000 trupa të shqiptarëve të Kosovës janë zhvarrosur nga disa vende në të gjithë Serbinë, përfshirë edhe qindra nga një varr masiv në një postë të njësisë speciale të policisë pranë Beogradit.
“Duke u përpjekur të fshehin një krim, ata kryen një tjetër”, thotë Andin Hoti, kryetar i komitetit të Kosovës për personat e zhdukur, babai i të cilit mbetet ende i pagjetur.
Probleme të ngjashme vazhdojnë me Bosnjën fqinje, ku ekspertët ende po përpiqen të gjejnë varre masive afër Srebrenicës, ku rreth 8000 burra dhe adoleshentë myslimanë u vranë nga forcat serbe.
“Po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të gjetur varre masive. Ne jemi ende duke kërkuar për më shumë se 1000 njerëz”, tha Almasa Salihoviq, zëdhënëse për Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës.
Por edhe kur mbetjet më në fund zbulohen, shpesh shkaktohen trauma të reja.
Në tetor, Vesel Rukolli u informua se eshtrat që i përkisnin babait dhe dajës së tij ishin nxjerrë nga një varr muaj më parë në Kizhevak të Serbisë.
Eshtrat e tyre erdhën pesë vjet pasi disa nga eshtrat e xhaxhait të tij ishin gjetur në një fshat tjetër në Serbi.
Xhaxhai i tij ishte vrarë në prill të vitit 1999 pasi forcat serbe masakruan rreth 40 persona në fshatin Rezallë të Kosovës.
Derisa forcat serbe u larguan nga vendi i ngjarjes, ata përdorën një buldozer për të nxjerrë trupat, duke copëtuar shumë nga viktimat e tyre.
Edhe pse shumica e të vrarëve dhe të zhdukurve nga lufta janë shqiptarë etnikë, shumë serbë janë ende të pagjetur – një pikë që Beogradi e ngre shpesh në luftën me fjalë me zyrtarët e Kosovës.
Zyrtarët në Prishtinë këmbëngulin se po e marrin seriozisht çështjen, me pesë lokacione të pazbuluara në Kosovë që po gërmohen në kërkim të viktimave serbe të luftës.
Për më shumë se 22 vjet, Svetlana Marinkoviq ka pritur të marrë lajm për fatin e bashkëshortit të saj pasi ai u zhduk vetëm disa ditë pas përfundimit të konfliktit.
“Ndoshta nesër do ta zbulojmë”, tha Marinkoviq nga Graçanica për AFP.
“Shpresa vdes e fundit”.