15 Mars, 2023 - 10:45 pm
Nën kujdesin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj dhe Zonjës së Parë, Armanda Begaj u zhvillua sot në Presidencë aktiviteti “Gruaja – shpirti i thesareve tona etnografike”.
Aktiviteti kishte në qendër kontributin e gruas shqiptare në trashëgiminë kulturore dhe etnografike shqiptare. Në këtë kuadër, u shfaq ekspozita fotografike e mbështetur nga institucioni i Presidentit me titull “Xhubleta, shqiptare, universale, e përjetshme” e fotografit të mirënjohur Ergys Zhabjaku.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj u shpreh se “thesaret materiale dhe jomateriale të trashëgimisë kombëtare shqiptare janë rrënja jonë, janë identiteti pa të cilin ne nuk do të kishim këtë vitalitet që na ka mbrojtur shpirtërisht edhe në kohërat e errëta të historisë”.
Kreu i Shtetit theksoi se “parësore në rrugën e zhvillimit të qytetërimit mbetet gjithmonë trashëgimi i sistemit të vlerave tona kulturore nëpërmjet edukimit të fëmijëve tanë, gjeneratës së re”.
“Të pasurojmë kurrikulat shkollore dhe të nxisim e rrisim ndërveprimin me fëmijët që në klasat e para mbi trashëgiminë tonë kulturore,” tha Presidenti Begaj.
Zonja e Parë, Armanda Begaj, gjithashtu përshëndeti të pranishmit në event, duke theksuar se “duhet të mbështesim të gjithë pasurinë tonë etnografike dhe rolin e qenësishëm të gruas shqiptare në krijimin dhe ruajtjen e kësaj pasurie”.
“Është detyrim i ne të gjithëve që trashëgiminë tonë etnografike ta ruajmë, studiojmë dhe përcjellim ashtu siç e meriton. Vetëm kështu, do të mund të jemi të sigurtë që kemi ruajtur identitetin tonë kombëtar dhe i kemi kthyer vlerat e traditat shqiptare në vlera universale. Duhet ta bëjmë këtë për gruan shqiptare, ta bëjmë këtë për kombin shqiptar”, u shpreh ajo.
Në fund të ceremonisë, Presidenti i dha sot titullin “Mjeshtër i Madh” etnografes së njohur, prof. dr. Afërdita Onuzi.
Në motivacionin për titullin e zonjës Onuzi thuhet: “Për kontributin e jashtëzakonshëm në studimin e trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar; për punën e paçmuar në terren, në studimin, mbledhjen dhe dokumentimin e pasurisë etnografike shqiptare, duke kontribuar në njohjen, ruajtjen dhe promovimin e vlerave të identitetit kombëtar shqiptar.”
Begaj vlerësoi kontributin e Onuzit, ndërsa u shpreh se “nëse sot e njohim më mirë identitetin tonë, nëse sot jemi edhe më të vetëdijshëm për pasurinë etnografike të Shqipërisë, është edhe falë kontributit të paçmuar të Onuzit në etnografinë shqiptare.
Nga ana e saj, Onuzi falenderoi Presidentin Begaj për vlerësimin e punës 52-vjeçare. “E shoh këtë vlerësim, edhe si nderim e respekt për trashëgiminë kulturore të popullit tonë,” tha në fjalën e saj falënderuese Onuzi./atsh/KultPlus.com