Grupi Artistik i Konispolit, “flaka” e fundit që ruan vallen çame të Osman Takës

31 Janar, 2021 - 9:12 pm

Portali “Prointegra.ch”, ka prezantur Grupin Artistik nga Konispoli në jug të Shqipërisë, që në repertor ka kryesisht valle burimore çame.

Grupi i drejtuar nga Taip Madani (Meshtër i Madh) Korife dhe koreograf i grupit të valles Çame, që u ngrit në vitin 1973 u shqua në disa manifestime e festivale, ndër to edhe në atë të Gjirokastrës, ndërsa dy brezat e fundit me shumë sukses i udhëheq specialisti i artit, Vangjel Taho.

Ajo që i jep një dimension të veçantë artit dhe kulturës shqiptare, padyshim se janë grupet tona të shumta artistike të këngëve dhe valleve, qoftë në trojet etnike apo në mërgatën e madhe shqiptare. Grupi Artistik i Konispolit, që ka një traditë mjaft të gjatë të themelit, që nga viti 1973, e që sipas drejtuesit të saj Vanxhel Taho, një specialisti të artit, që ende është kontribues i madh si në udhëheqje ashtu edhe në mobilizimin dhe frymëzimin e brezave për ta dashur dhe lozur vallen e bukur shqiptare, sidomos atë të jugut shqiptar.

Kësaj radhe përmes postës telefonike më në hollësi u njoha për historikun e këtij grupi që tashmë ka krijuar rrugën dhe fizionominë e tij artistike, miku dhe artistin Vangjel Taho, nga i cili mësova se: Ansamblit i këngëve dhe valleve popullore të Konispolit është ngritur nga qysh në vitin 1973, edhe atë filluar nga Taip Madani (Meshtër i Madh) Korife dhe koreograf i grupit të valles Çame, duke u shquar sidomos me pjesëmarrje në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, ku qe përfaqësuar me vallen e Osman Takës e Limereve e Isuf Arapit si dhe valle të kënduara të vajzave, Kjo hardhi e rrushit Me kadale valle-o etj, karakteristik e valles së kënduar nga vajzat është se ajo shoqërohet edhe nga orkestra.

Mësojmë gjithashtu se në festivalet folklorike 1973-1978 kanë marrë pjesë Valltari Koreograf Taip Madani (Mjeshtër i madh), Vullnet Dine Alush Dora Aramush Veli etj. Nga vajzat mund të përmendim Trëndafile Lame, Leta Shehu, Remzo Emini, Besnike Mullai Lindita Kasapi, Fato Hazbi, Teuta Çokalli etj. Rrugëtimi artistik i kësaj grupe me këtë trashëgimi të mirëfilltë kulturore u bart nga brezi në brez deri më sot në gjeneratën e re të djemve e vajzave të Konispolit siç janë: Adrian Arapi, Beqir Emini, Olsi Shorri, Selaudin Arapi etj dhe nga radhët e vajzave: Alva Haxhiu, Altea Çokalli, Anxhi Beqo, Ermelinda Rakipi, Sildi Isufaj. Kjo është breznua e tretë dhe vazhdojmë me brezin më të ri si: Klajdi Papara etj etj.

Sa i përket vazhdueshmërisë, Taho potencon me keqardhje se:  kënga polifonike e burrave të shoqëruara me orkestër vjen duke u venitur ndërsa sa i përket pozitës financiare të grupit, drejtuesi i tij shton se : “ Kemi një fond minimal nga Bashkia, por se kryesisht mbizotëron vullnetarizmi dhe dëshira e këtyre valltarëve, që vazhdimisht i shtyn përpara”.  Ai sa i përket lokalit thotë se : “ Kemi një dhomë ku kryejmë provat, por sivjet flitet për ngritjen e pallatit të kulturës dhe kjo është një shpresë e jonë e madhe që do të na ofronte kushte më të volitshme për veprimtarinë tonë artistike. Ndër projektet e grupit sipas Tahos : “Qëllimi im është të grumbullojë të rinj të talentuare për Ison polifonike Çame, ndaj edhe për këtë jam në tentativa”.

Na mban shpresa që këto dëshira si për lokal ashtu edhe për projekte të Grupit Artistik të Konispolit të plotësohen dhe që një ditë ti kemi edhe në mjediset tjera shqiptare, sidomos në Kosovë, veçmas në EtnoFest në fshatin Kukaj, organizatorët e të cilit mezi presin që ky grup të jetë në mesin e tyre, nga vet fakti se ata kanë dëshirë që ta kenë në mesin e tyre një grup artistik që kultivon dhe avancon këngët dhe vallet çame./ Rexhep Rifati/ KultPlus.com

Të ngjajshme