Grupi i Artistëve të Pavarur mban nesër konferencë, kërkojnë të bëhen pjesë e hartimit të fondit emergjent të MKRS-së

6 Qershor, 2020 - 9:01 pm

Grupi i Artistëve, mban konferencë për medie, ku do të informohet opinioni publik rreh zhvillimeve dhe ecurisë së procesit për t’u bërë artistët pjesë e hartimit të kritereve për fondin emergjent të MKRS-së, shkruan KultPlus.

Kjo konferencë do të mbahet më 7 qershor 2020 nga ora 12:00, para ndërtesës GËRMIA, ku aktualisht operon ATK-ja (përballë Teatrit Kombëtar).

Nga Grupi i Punëtorëve në skenën e pavarur të artit dhe kulturës në këtë konferencë për këto zhvillime do flasin:

Donjetë Murati, hulumtuese
Dardan Zhegrova, artist
Nol Sahatçiu, artist
Blerta Ismaili, sociologe/aktore
Genc Kadriu, artist

Njoftimi:

Artistët, kuratorët, hulumtuesit, punëtorët e pavarur në skenën e kulturës të poshtë shënuar, kanë shtruar kërkesë zyrtare në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS) që të përfshijë përfaqësuesit e Artistëve të Pavarur në Grupin Punues për përpilimin e kritereve për shpërndarjen e Fondit Emergjent për kulturë, rini dhe sport.

Nga rrethanat e krijuara me shpërndarjen e shpejtë të COVID-19, Qeveria e Kosovës ka ndarë 5 milion euro për mbështjetjen e kulturës, rinisë dhe sportit. Si hap të parë në këtë drejtim MKRS do të themelojë Grupin Punues me mandat për të përcaktuar kriteret dhe rregullat për shpërndarjen
e fondeve në skenën e pavarur të artit dhe kulturës në Kosovë. Përfshirja e Artistëve të Pavarur e plotëson Grupin Punues dhe ofron një perspektivë të domosdoshme në mbrojtje të artistëve dhe
punës së tyre.

Në shikim të parë duket që pandemia ka sjellë një lloj barazimi shoqëror, ku të gjithë janë në ballafaqim me të njejtën sfidë. Përkundrazi, ne konsiderojmë që kjo situatë vetëm se ka theksuar relacionet ekzistuese të formësuara përgjatë viteve të karakterizuara me sisteme të ndryshme të
pabarazisë, duke bërë që grupe të caktuara të dëmtohen më shumë.

Puna e Artistëve të Pavarur në Kosovë mund të cilësohet si punë e padukshme duke qenë se procesi i punës në shumicën e rasteve nuk formalizohet dhe shpeshherë rezulton si punë e papaguar.

Mënyrat e vetme përmes së cilës puna e artistëve kompenzohet janë përmes kontratave mbi vepër, komisionimeve të veprave, ekspozitave, koncerteve apo ngjarjeve të ndryshme si dhe projekteve të përkohshme. Përveç kësaj, burim tjetër i të ardhurave për artistët mbetet shitja e veprave të artit
ku në fakt ndodhë i vetmi relacion formal në mes të shtetit dhe individëve përmes regjistrimit si biznes individual, ndonëse ky treg në Kosovë është i parregulluar dhe pothuajse nuk ekziston. Në situata të tilla si kjo me COVID-19 edhe këto angazhime anulohen ose shtyhen për një afat të pacaktuar kohor, duke e rënduar gjendjen dhe duke bërë ndërhyrjen emergjente institucionale të domosdoshme.

Në fakt, ekziston një sistem i tërë i prodhimit artistik që qëndron mbrapa punës që mund të duket e vetmuar. Punët apo veprat që të gjithë i konsumojmë, ndër tjera janë rezultat i një procesi hulumtues, të zanatit, prodhimit, mirëmbajtjes, shkrimit, arkivimit, konservimit dhe hapësirës së
mjaftueshme për punë. Sigurimi dhe qasja në këto elemente zakonisht është rrethanore. Para pandemisë ky sistem është përkrahur nga materialet vetanake, improvizimet dhe nga mbështetja që është ofruar përmes marrëdhënieve ndër-personale. Rrjedhimisht, përbën një ambient fragjil
dhe të varur nga faktorë të ndryshëm që mundësojnë ose pamundësojnë krijimtarinë artistike të ekzistojë. Për më tepër, është qenësore që të rimendojmë edhe përkufizimin e punës, duke marrë parasysh të gjitha elementet që mundësojnë krijimtarinë në Kosovë, si dhe pasojat e vështirësitë që sjell përkufizimi aktual.

Vlerësojmë gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, respektivisht të MKRS-së, për të përkrahur skenën e pavarur në këtë kohë të pandemisë së COVID-19. Megjithatë, për të siguruar një proces gjithëpërfshirës dhe adresim sa më të saktë të nevojave në skenën e pavarur të artit konsiderojmë se grupi punues duhet të ketë së paku dy përfaqësues të skenës të zgjedhur nga Artistët e Pavarur.

Pandemia ka ndryshuar tërësisht përditshmërinë tonë dhe një gjendje e tillë do të mund të vazhdojë edhe për shumë kohë. Ndryshimet e përkohshme apo afatgjate në mënyrën e funksionimit të galerive, muzeve, koncerteve, apo ngjarjeve tjera kulturore do të jenë thelbësore. Në tavolinën e diskutimeve, në mesin e institucioneve duhet të ketë vend edhe për pikëpamjet e Artistëve të Pavarur.

Për këtë arsye, kërkojmë bashkëpunim në mes të MKRS-së dhe Artistëve të Pavarur si dhe subvencionim adekuat që është qenësor për skenën e pavarur të kulturës, në ballafaqimin me këtë kohë sfiduese si dhe për përpilimin e politikave më fuqizuese në të ardhmen. /KultPlus.com

Të ngjajshme