GShP reagon për policin që e rrahu 18 vjeçarin: Abuzues si në kohën e regjimit serb (VIDEO)

30 Janar, 2021 - 2:50 pm

Organizata Jo-Qeveritare Global Shapers Prishtina ka reaguar ndaj rrahjes së një 18 vjeçari nga polici me uniformë, videoja e së cilës është shpërndarë nëpër rrjete sociale.

Kjo organizatë e ka quajtur veprimin e policit tejet skandaloze, e në anën tjetër ata e vlerësojnë se kjo është “fytyra e vërtetë e nepotizmit dhe korrupsionit që e ka kapluar këtë institucion”.

Në deklaratën e tyre përmendet që rinia kosovare ka shumë mungesa, teksa këto shkaktojnë lehtësim për përfundimin e tyre në polici.

“Në shumë Komuna nuk ka qendra rinore, kinema, teatro, që nënkupton jeta kulturore e sportive është skajshmërisht e varfër. Në anën tjetër, mundësitë e edukimit janë shumë të varfëra, në një sistem që nuk e promovon talentin, por e shtyp atë. Nuk ka programe edukative, nuk ka mundësi për aktivitete rekreative, e aq më pak bursa që zhvillojnë talentin e rinisë”, thuhet tutje në reagim.

Global Shapers Kosova kanë përmendur edhe papunësinë prej 51%, shkeljen e të drejtave të punëtorëve dhe mungesën e inspektorëve për hulumtim të rasteve të shkeljeve, teksa kanë vlerësuar se jeta e të rinjve në Kosovë në këto rrethana është e pasigurtë.

“Në këtë kaos, Inspektorati Policor i Kosovës lejon që zyrtarët abuzues të qëndrojnë në polici për më tepër se 2 vite duke rrafur qytetarët e Kosovës si në kohën e regjimit serb. Kjo është e dhimbshme, e patolerueshme dhe e rrezikshme”, deklarojnë Global Shapers Kosova.

Tutje, ata kërkojnë largimin e policit në fjalë nga puna, fillimin e reformimit në procesin e rekrutimit të Policisë së Kosovë.

Global Shapers Kosova së shpejti do të organizojnë edhe një aktivitet lidhur me këtë situatë. / KultPlus.com

Fotografi e realizuar nga Anesa R Metlillo

Të ngjajshme