Gurëgdhendës brez pas brezi, nipi 11-vjeçar trashëgon zanatin e gjyshit

11 Gusht, 2020 - 10:53 pm

Disa muaj pas ndarjes nga jeta të gurëgdhendësit të njohur gjirokastrit Muhedin Makrit, djali dhe nipi i tij po mbajnë gjallë punën dhe kujtimet që ai la pas. I biri shprehet se mjeshtri e ka inkurajuar gjithmonë ta bënte këtë punë ndërsa tregon se tashmë këtë zanat po e trashëgon tek Eltoni, vetëm 11 vjeç.

Eltoni është vetëm 11 vjeç dhe prej vitesh ai qëndronte në punishten e gjyshit të tij të ndjerë, mjeshtrit Muhedin Makri për të mësuar zanatin e gurëgdhendjes.

Disa muaj pas ndarjes nga jeta të Muhedinit, djali i tij Ermali së bashku me të birin po mbajnë gjallë traditën e veçantë që përcolli ndër vite babai.

Ermal Makri pohon se ky zanat është sa i vështirë aq edhe i bukur.

”Unë jam krenar për zanatin që më ka lënë babai, dhe kam dëshirë që ta vazhdoj si zanat. Është një zanat që mua më bën të ndihem krenar, dhe dua të vazhdoj në gjurmët e babait tim.”

Çekicin me të cilin janë gdhendur qindra e mijëra gurë tani e ka në dorë më i riu i familjes.

”Djali që kur ishte i vogël kishte qejf të rrinte pranë gjyshit. Gjyshi e mësonte, e përkëdhelte, kishte dashuri për nipin e tij. I jepte çekiçin, daltën, dhe e mësonte. Djali kur ishte i vogël ishte kureshtar.”

Mjeshtri Gjirokastrit Muhedin Makri e filloi punën në pazarin e Gjirokastrës në vitet 60 e deri në ditët e fundit të jetës ai punoi në këtë punishte të vogël.

Ai ka tërhequr vëmendjen e mijëra vizitorëve ndër vite të cilët fotografonin dhe filmonin në aparatet e tyre punën e palodhur të tij. /Ora News /KultPlus.com

Të ngjajshme