Guri i Kamjes, destinacion turistik për të gjitha moshat

15 Shkurt, 2023 - 9:03 am

Një mundësi për ta diversifikuar jetën turistike të rajonit të Korçës, vjen nga një destinacion i cili ka filluar të frekuentohet së fundmi. Bëhet fjalë për Gurin e Kamjes, pranë Pogradecit.

Përveç turizmit kulinar, kulturor e historik, kjo zonë ofron dhe bukuri të tilla natyrore, të cilat ia vlen të promovohen.

Prekja e kësaj maje me dëborë ka sjellë kënaqësi të madhe për vizitorët e të gjitha moshave. Një nga vizitorët më në moshë, rrëfen se ky aktivitet i ka bërë të rinjtë të lënë divanet, kafet e teknologjinë dhe të shijojnë natyrën e cila është një alternativë gjithnjë më e mirë se jeta sedentare.

Drejtori i Turizmit, Trashëgimisë Kulturore dhe Rinisë, Ledjan Zeqollari thotë se Guri i Kamjes tashmë është pjesë e hartës turistike të Pogradecit, duke e diversifikuar mjaft hartën turistike të tij. “Bën pjesë edhe në harta dhe është një nga atraksionet turistike më të rëndësishme, duke zhvilluar më tepër ekoturizmin dhe turizmin malor”, është shprehur Zeqollari.

Sipas udhërrëfyesve, vitet e fundit interesi është në rritje për të vizituar jo vetëm monumentet e natyrës por edhe ato kulturore. Operatorët turistikë sugjerojnë të shtrihet turizmi i natyrës më gjerë se Pogradeci, pasi ka mjaft destinacione që njihen pak nga turistët.

Guri i Kamjes ka statusin e “monumentit të natyrës” që prej vitit 2002, por gjithashtu ka dhe vlera historike pasi në 28 korrik të vitit 1912, patriotët e zonës së Gorës, shpallën pavarësinë, 4 muaj përpara shpalljes së pavarësisë në Vlorë. Ndërsa në Luftën e Parë Botërore, Guri i Kamjes ka shërbyer si kullë vëzhgimi për ushtarët francezë, ndërkohë që Pogradeci ishte i ndarë mes kampit francez e atij bullgar.

Pedagogu Ermal Hasimja, pjesë e një grupi vizitorësh, thotë se është një destinacion interesant edhe për ata që vijnë nga Tirana pasi mund ta shoqërojnë edhe me një vizitë në Pogradec apo Korçë, sepse është një zonë që ka se çfarë ofron, por nuk ka qenë nxjerrë në pah mjaftueshëm.

Sipas guidës, destinacioni është i lehtë dhe i realizueshëm për të gjitha moshat./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme