24 Maj, 2022 - 12:06 pm
Një ditë para finales së madhe të Conference League, kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën duke postuar një foto nga eksodi i shqiptarëve i 32 viteve më parë, ku mijëra shqiptarë u nisën me anije drejt Italisë.
Në foton e ripostuar nga Twitteri i skuadrës së Romës e cila shkruan “Andiamo a Tirana (Le të shkojmë në Tiranë)”, Rama shkruan “Hajdeni, hajdeni”, pasi qindra tifozë priten të mbërrijnë nesër.
Ashtu si në 1990 në Bari u shpall gjendja e emergjencës, edhe Tirana ditën e nesërme do të “pushtohet” nga tifozët. Kryeqyteti nesër do të jetë në “dispozicion” të tyre pasi nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve dhe është shpallur ditë pushimi.
Roma dhe Feyenoord do të përballen të mërkurën në orën 21:00 në “Air Albania”, duke e kthyer këtë ndeshje në një moment historik për historinë e futbollit shqiptar, pasi për herë të parë në vendin tonë luhet një finale europiane.