11 Qershor, 2024 - 6:50 pm
Një grup grabitësish kanë shpuar nga kanalet e lashta drejt bodrumit të një argjendarie në qendër të kryeqytetit italian, dhe kanë vjedhur bizhuteri me vlerë të paktën €500,000.
Banda mori ora dhe metale të çmuara nga dyqani ‘Bulgari’ para se të zhdukeshin sërish në kanalizimet e qytetit teksa policia është vënë në ndjekje të tyre.
Goditja ishte bërë mesnatën e të shtunës, kur ata hynë nga një vrimë që ksihin hapur nga poshtë në bodrumin e argjendarisë në rrugën Via Condotti, e cila është e mbushur me dyqane të mallrave të luksit.
Mediat vendase thonë se tre grabitësit e maskuar ishin regjistruar nga kamerat e sigurisë dhe alarmi i dyqanit ishte aktivizuar në kohë .
Policia kishe ardhur për shtatë minuta por iu deshën dhe pesë minuta të tjerë për të thyer derën e dyqanit që ishte përforcuar si barrikadë nga brenda prej grabitësve.
Vjedhësit kishin mbledhur objektet e grabitura dhe ishin zhdukur sërish në vrimën nga kishin hyrë brenda 11 minutave, sipas mediave italiane.
“Teksa ne po hapnim derën i dëgjonim ata që thonin, ‘Ikim tani , ikim’,” tha një hetues për të përditshmen vendase La Repubblica.
Kanalizimet e Romës datojnë prej kohërave romake me një rrjet të gjerë e kompleks tunelesh, të ngjashëm me një sistem të nëndheshëm metroje.
“Qendra e Romës është e mbushur me tunele kanalizimesh që datojnë prej epokës romake dhe përdoren ende”, tha Marco Placidi, i grupit ‘Sotterranei di Roma’, që eksploron arkeologjinë e vjetër të tuneleve.
“Ato janë të lartë sa të ecësh në këmbë dhe nuk kanë shumë ujë. Nuk janë totalisht të përshkruara në harta prandaj është e vështirë të zbulosh se nga kanë kaluar grabitësit”, shtoi Placidi, sipas The Independent.
Një tentativë e ngjashme është bërë në gusht 2022, kur një bandë grabitësish tentuan të hynin në një bankë në Vatikan, por dështuan pas bllokimit të një prej grabitësve dhe arrestimit nga policia./ topchanel/ KultPlus.com