Vidhet në një dyqan antik, ora e xhepit e dhuruar nga ish-presidenti i Amerikës

16 Dhjetor, 2020 - 11:29 am

Një orë xhepi me vlerë rreth $27,000 e dhuruar nga ish-presidenti amerikan Woodrow Wilson është vjedhur në një dyqan antikitetesh, njoftoi sot policia e Londrës.

Ora me vlerë të llogaritur nga $22,800 deri në $26,860), është vjedhur mesditën e të shtunës, tha në njoftimin e saj policia e Londrës. Sipas saj autori i vjedhjes ishte një burrë që kishte hyrë në dyqanin e objekteve antike Pierrepont Arcade, në Islington në veri të Londrës, dhe tha se dëshironte të blinte një vazo dekorative.

Burri kishte tentuar të blinte vazon por karta e tij e bankës nuk kishte funksionuar. Policia beson se burri kishte hapur vitrinën për të vjedhur orën, kur punonjësi i dyqanit po vendoste vazon përsëri në vend.

Ora e vjedhur ishte ndërtuar me flori 14 karat dhe është dhuruar nga presidenti Wilson.

Në anën ballore të saj shihet vula presidenciale e SHBA me një shqiponjë, ndërsa në pjesën e prapme është gdhendur mbishkrimi i  Wilson.

“Nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara për Charles J Lawrenson, kapiteni i avullores britanike Nubian, në nderim të shërbimeve humane për shpëtimin në det të ekuipazhit të anijes amerikane Julia A Trubee, më 7 mars 1914”, shkruhet në mesazh.

Policia publikoi fotot e orës si dhe ato të një burri me të cilin dëshirojnë të flasin në lidhje me krimin.

“Pronarët e orës janë shumë të shqetësuar,” tha oficeri Joshua Brown në njoftim. “Objekti ka qenë në familjen e tyre prej shumë kohësh dhe nxisim personin që e vodhi ta kthejë sa më shpejt që është e mundur”.

Wilson ka qenë presidenti i 28-të i SHBA nga viti 1913 deri në 1921. Ai kishte qenë më parë president i Universitetit Princeton dhe guvernator i New Jersey. /express/ KultPlus.com

Të ngjajshme