23 Qershor, 2022 - 4:10 pm
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka reaguar sot për vdekjen e poetit Xhevdet Bajraj dhe producentes Vjosa Berisha.
Ministri Çeku përmes një postimi në Facebook u shpreh se arti ynë humbi dy njerëz të jashtëzakonshëm, krijues të palodhshëm dhe personalitete të pazëvendësueshme.
Postimi i plotë i ministrit Çeku:
Dje na la Xhevdeti, sot Vjosa. Në kulmin e dhimbjes për ndarjen nga jeta të poetit të madh shqiptar, Xhevdet Bajraj, na erdhi lajmi tjetër i kobshëm për shkuarjen në amshim të regjisores dhe producentes së njohur, Vjosa Berisha.
Në momente si këto, fjalët nuk arrijnë të kapin thellësinë e dhimbjes. Arti ynë humbi dy njerëz të jashtëzakonshëm, krijues të palodhshëm, personalitete të pazëvendësueshme.
Ngushëllime familjeve, miqve dhe gjithë komunitetit artistik. Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Xhevdetit dhe Vjosës./ KultPlus.com