16 Maj, 2021 - 5:48 pm
Gjatë ditës së djeshme u raportua për ngacmimin seksual ndaj një të miture në një shkollë në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Ndërkaq për këtë ka reaguar edhe Sibel Halimi e cila ka thënë se një rast i tillë shpërfaq qartazi gjendjen reale me të cilin janë duke u ballafaquar fëmijët.
Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të saj
Shkolla është vendi ku fëmijët duhet të edukohen për të drejtat e barabarta. Padrejtësitë, misogjenizmi, diskriminimi e abuzimi i shfaqur në shoqëri, në shkollë nxënësve duhet t`u jepet mundësia për t`i ndryshuar botëkuptimet patriarkale ndaj gjinisë.
Rasti i abuzimit seksual në oborrin e një shkolle në kryeqytet, incizimi i ngjarjes shpërfaq qartazi gjendjen reale me të cilin janë duke u ballafaquar fëmijët tanë. Në mungesë të informacionit dhe vetëdijes së nxënësve, aktet e tilla shndërrohen në akte “trimërie”. Andaj, ky rast, të jetë alarm, për shkollat dhe sistemin arsimor. Arsyetimi i shkollës, që kjo ngjarje ka ndodhur jashtë procesit mësimor, është vetëm vazhdimësia e problemit me të cilat ballafaqohet arsimi ynë. Derisa, publikimi i videos nga mediet është shkelje flagrante e të drejtave të fëmijëve./ KultPlus.com