8 Korrik, 2020 - 5:00 pm
Halle Berry është aktorja e parë afrikano-amerikane, e cila e fitoi një shpërblim “Oscar” si aktorja më e mirë, për performancën e saj në filmin “Monster’s Ball”. Ajo po ashtu ka luajtur në filma të tjerë me buxhet të lartë si: “Swordfish”, “Die Another Day”, “Gothika” dhe “X-Men”.
E lindur më 14 gusht të vitit 1966 në Cleveland të Ohios, Halle Berry, një ish-mbretëreshë e bukurisë, sot njihet si një prej aktoreve më të suksesshme të Hollywoodit. Ajo është fëmija i vogël i çiftit ndërracorë, Jerome dhe Judith, dhe së bashku me motrën e saj të madhe aktorja e kishte kaluar një pjesë të madhe të fëmijërisë duke jetuar në një lagje të brendshme të qytetit. Në fillim të viteve 70’, babai i saj e braktisi familjen për çka e ëma e aktores u shpërngul bashkë me fëmijët e saj në një lagje në afërsi të Clevelandit, ku kryesisht jetonin personat e racës së bardhë. Berry për shkak të ngjyrës së lëkurës kishte kaluar nëpër vështirësi në shkollë, ku është bërë pre e diskriminimit qysh në moshë të re dhe kështu, përballja e hershme me racizmin e ka shtyrë aktoren që të arrijë sukses në jetën e saj.
Duke qenë se ishte një performuese natyrale, Berry konkurroi në disa spektakle të bukurisë në të cilat edhe triumfoi. Ajo i gëzon disa tituj përfshirë këtu, “Miss Ohio” dhe “Miss Teen America”. Ndërsa në garën e vitit 1985, aktorja u shpall përcjellësja e parë e “Miss USA”. Për pak kohë ajo i ndoqi studimet në kolegjin e komunitetit të Clevelandit, ku kishte studiuar për gazetari. Por, aktorja hoqi dorë shpejt nga ideja e një karriere në raportimin e lajmeve, dhe vendosi ta ndjekë pasionin e saj, që ishte një karrierë në industrinë e showbizit. Kështu, ajo fillimisht u shpërngul në Chicago e më pas në New York City, ku gjeti punë si modele.
Në fillim të viteve ‘90 ajo filloi të punojë si aktore, duke u angazhuar kryesisht në role televizive. Ndërsa paraqitjen e parë në ekran të madh Berry e shënoi me t’u angazhuar në rolin e të dashurës së personazhit të Samuel L. Jacksonit, në filmin “Jungle Fever”. Pas këtij debutimi, role të tjera interesante iu ofruan aktores në filma të tillë si: “The Last Boy Scout”, ku luajti krahas yllit Bruce Willis, “Boomerang”, ku ia fitoi zemrën aktorit të njohur komik, Eddie Murphy, “The Rich Man’s Wife”, “Executive Decision”, “Why Do Fools Fall in Love?”, “Bulworth,” dhe të tjerë. Në vitin 1999, Berry e publikoi projektin e saj të punuar me më së shumti pasion deri më tani, ku ajo shërbeu si bashkëproducente dhe luajti në të, “Introducing Dorothy Dandridge”. Filmi biografik i kanalit “HBO” e sjell historinë e Dorothy Dandridgeit dhe Berry kishte marrë komente të shumta për ngjashmërinë e saj fizike me aktoren e ndjerë. Berry madje e fitoi një shpërblim “Globi i Artë” dhe një “Emmy” në kategorinë “Aktorja më e mirë në film televiziv” për interpretimin e këtij roli.
Gjatë viteve 2000, Halle Berry vazhdoi të punojë në projekte të mëdha dhe filma me buxhet të lartë si: “X-Men”, “Swordfish”, ku luajti krahas aktorit John Travolta, “James Bond: Die Another Day”, “Gothika”, “Catwoman”, “Their Eyes Were Watching God”, “Perfect Stranger”, “Cloud Extant”, “Kidnap”, “Kingsman: The Golden Circle” dhe së fundmi në filmin “John Wick: Chapter 3 – Parabellum”.
Berry i pranoi kritikat më të mira në karrierën e saj filmike me performancën në dramën e errët të vitit 2001, “Monster’s Ball”. Aty, aktorja e portretizoi bashkëshorten e një të burgosuri i dënuar për vdekje, i portretizuar nga reperi, Sean “Puffy” Combs, dhe e cila e zhvillon një aferë me një rojë racist të burgut, i personifikuar në film nga aktori, Billy Bob, Thornton. Ky rol ia fitoi aktores një shpërblim “Globi i Artë” dhe një shpërblim akademik, duke u bërë gruaja e parë zezake që shpallet “Aktorja më e mirë” në këtë ceremoni glamuroze.
Berry njihet si një prej aktoreve më fitimprurëse dhe njëkohësisht një prej aktoreve më të shtrenjta në kinematografi, ku në një pikë të karrierës Berry i kërkonte 14 milionë dollarë për një rol. Në prill të vitit 2007, ajo u nderua me yll në shtegun e të famshmëve në Hollywood. Po ashtu, gjatë gjithë karrierës së saj Berry është shquar për bukurinë e saj. Disa herë ka qenë pjesë e listave të përpiluara nga revistat e ndryshme, si femra më e bukur ose më seksi në botë.
Sa i përket jetës personale, Berry e ka një të kaluar romantike jo të qëndrueshme. Ajo ka qenë në lidhje me kolegun e saj nga filmi “Jungle Fever”, Wesley Snipes, para se të martohej e sportistin David Justice në vitin 1993. Çifti u shkurorëzua katër vjet më vonë dhe pas një kohe të shkurtër, ajo u fejua fshehurazi me yllin e muzikës R&B, Eric Benét. Berry dhe Benét qëndruan të martuar nga viti 2001 deri më 2005-n. Në të njëjtin vit, gjatë një sesioni fotografik për markën e njohur të modës, “Versace”, aktorja u takua me supermodelin kanadez, Gabriel Aubry. Disa muaj më vonë, Berry e konfirmoi lajmin se çifti është në pritje të fëmijës së parë. Në mars të 2008-s, Berry dhe Aubry, e mirëpritën në jetë një vajzë të quajtur Nahla Ariela, dhe dy vjet më vonë aktorja dhe modeli i njohur u ndanë. Pothuajse menjëherë pas kësaj ndarjeje, Berry e filloi lidhjen romantike me aktorin francez, Olivier Martinez. Në mars të vitit 2012 çifti u fejua dhe një vit më vonë e bënë publik lajmin se po e presin një fëmijë së bashku. Disa muaj më vonë ata e kurorëzuan lidhjen e tyre më martesë dhe në tetor të vitit 2013 e mirëpritën në jetë një djalë të quajtur Maceo-Robert. Por vetëm dy vjet më vonë, Berry dhe Martinez e bënë të ditur lajmin se kanë vendosur të shkurorëzohen.
Pothuajse të gjitha lidhjet e aktores kanë përfunduar në mënyrë joshoqërore, përfshirë këtu me baballarët e fëmijëve të saj, të cilat edhe kanë folur hapur për problemet nëpër të cilat kanë kaluar me aktoren. Dhe kështu, Halle Berry e ka fituar nofkën “Vejusha e zezë” dhe shpesh është quajtur nga meshkujt si “një grua e ftohtë, autoritare dhe jo stabile”. / KultPlus.com