14 Nëntor, 2024 - 1:43 pm
Muzeu Etnografik i Kavajës pas ndërhyrjes restauruese të programit EU4Culture, hapi më në fund dyert për publikun.
Kryetari i Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja, e vlerësoi këtë ngjarje si një lajm të shkëlqyer për Kavajën dhe Muzeun Etnografik si një thesar të çmuar të kujtesës dhe trashëgimisë tonë kulturore.
Muzeu u inaugurua në prani të ambasadorit të Misionit të BE në Shqipëri, Silvio Gonzato, ndërsa Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit përfaqësohej nga zëvendësministrja Lira Pipa.
Programi EU4Culture solli mjedise tërësisht të restauruara të Muzeut Etnografik të Kavajës, me artefakte të kuruara në çdo detaj, punime unike me terrakota, kostume tradicionale e zeje të pafundme.
Krybashkiaku Qosja, përmes një postimi në rrjetet sociale, siguroi se, të gjitha këto pasuri të paçmueshme të Kavajës, tashmë janë të garantuara nëpërmjet inventarizimit dhe digjitalizimit të të gjithë fondit trashëgimor të muzeut, duke hedhur dritë kësisoj, sot e përgjithmonë, mbi traditat e vyera të kësaj treve.
Kjo sipas kryebashkiakut të Kavajës, do të pasurojë ofertën turistike të ketij qyteti me një ndër “hot spotet” më të bukura të trashëgimisë kulturore të botës shqiptare.
Qosja shprehu mirënjohjen më të thellë ndaj Bashkimit Evropian e përfaqësuesve të tyre në Shqipëri, punonjësve të Bashkisë Kavajë si dhe të gjithë ekspertëve, specialistëve dhe nëpunësve që u përfshinë e punuan natë e ditë për të bërë të mundur realizimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm./atsh/KultPlus.com