12 Tetor, 2021 - 10:14 pm
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka hapur sot tre kënde arkivore, në Dibër, Klos dhe Mat, në bashkëpunim me secilën nga bashkitë e çdo qyteti.
Këndi arkivor i Peshkopisë u prezantua nga drejtoresha e Evidencës Qendrore dhe Komunikimit në DPA, Elsa Saka në prani të kryetarit të Bashkisë Shkëlqim Murrja dhe përgjegjëses së Bibliotekës së qytetit Florinda Sela. Ky kënd nga dita e sotme është i aksesueshëm në ambientet e Pallatit të Kulturës “Haki Stërmilli”.
Më pas u çel këndi arkivor Klos në prezencën e përfaqësuesve të bashkisë dhe bibliotekës. Me mbështetjen e bashkisë ky kënd u hap pranë ambienteve të Bibliotekës së qytetit.
Sot gjithashtu u prezantua edhe këndi arkivor në Mat. Prezantimi dhe demonstrimi i këtij program i kryer nga Saka u bë në prani të nënkryetarit të bashkisë Mat, Hysni Zeneli, drejtorit të Pallatit të Kulturës, Sokol Metës dhe punonjësve të Bibliotekës së Burrelit.
Prej këtyre këndeve, çdo studiues merr shërbim të njëjtë si në sallën e studimit në Tiranë.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave me këtë nismë ka për qëllim shtrirjen e këndeve arkivore në sa më shumë qytete brenda dhe jashtë vendit, që kërkimi dhe hulumtimi mbi dokumente të jetë për të gjithë njësoj dhe sa më i lehtë./atsh/KultPlus.com