26 Maj, 2022 - 1:36 pm
Nga data 16 e deri më 22 maj është mbajtur vizita e dytë studimore në Slloveni në kuadër të projektit “Hapësirat Kulturore të Kosovës” që mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Anibar, 7Arte, Lumbardhi dhe Pogon.
Në këtë vizitë nga Kosova kanë marrë pjesë menaxherë kulturor, përfaqësues të rrjeteve lokale dhe nacionale të kulturës, zyrtarë institucional që mbulojnë dikastere të kulturës, punëtor të ndryshëm kulturor, përfaqësues të mediumeve kulturore dhe të organizatave të shoqërisë civile.
Nën emrin “Rrjetet e Qëndrueshme të Kulturës në Kosovë”, pjesëmarrësit kanë pasur mundësi që në Lubjanë, Koper dhe Maribor të vrojtojnë për së afërmi praktika të partneriteteve publiko-civile dhe të kuptojnë rolin e rrjeteve të kulturës në këto partneritete.
Ndër të tjera, ata kanë kuptuar detajisht mënyrat alternative të menaxhimit të infrastrukturës dhe hapësirave publike, sikundër që janë informuar hollësisht me programet këtyre hapësirave dhe rrjeteve të kulturës. Përgjatë vizitës pjesëmarrësit kanë mësuar më shumë rreth punës së punëtorëve kulturor, organizatave dhe kolektiveve të kulturës përgjatë viteve.
Theks i veçantë është vendosur edhe mbi ndikimet e efektshme të rrjeteve të kulturës në avokimin e të rinjve për përfshirje dhe për politika më të favorshme kulturore. Në fund, pjesëmarrësit kanë parë perspektiva të ndryshme të zhvillimit të qëndrueshëm të rrjeteve të kulturës, por edhe forma të ndryshme të përdorimit të rrjeteve sociale në informimin, zhvillimin dhe krijimin e audiencave.
Në Lubjanë, Maribor dhe Koper janë vizituar hapësirat, institucionet, organizatat dhe festivalet: Asociacija, Metelkova, Glej Theater, City of Women, GT22, Pekarna Magdalenske Mreže, StopTrik, Vetrinjski Dvor, Elektrarna, Zavod Bunker, Kino Šiška, PiNA, Španski Borci, Kibla, Zavod Mars dhe Dance Theater Lubjana. Prezentimet janë realizuar nga: Inga Remeta, Miha Satler, Tjaša Puereber, Poček Barbara, Urška Jež, Zoran Petrovič, Miha Sonda, Mojca Jug, Simon Kardum, Borut Jerman, Iztok Kovač, Hana Repše, Miha Horvat, Urška Breznik, Marko Brumen, Živa Kleindienst, Peter Tomaž Dobrila dhe Katja Somrak, ndërsa janë zhvilluar dhjetëra vizita të ndara në hapësira e institucione tjera kulturore.
Ekipi i CSoK është jashtëzakonisht falënderues ndaj Presidentës së Asociacija, Inga Remeta, për koordinimin, krijimin e programve dhe ndihmën e madhe në realizimin e kësaj vizite studimore. Po ashtu, falënderojmë edhe Komunën e Pejës që ka bashkë-financuar këtë ngjarje.
Kjo është vizita e fundit studimore (pas asaj në Kroaci) në kuadër të projektit të sipërpërmendur. Si përfundim, falënderojmë edhe Ambasadorin e Kosovës në Slloveni, z. Valdet Sadiku, për ftesën dhe pritjen që e ka bërë, por edhe për artistët, shoqatat e organizatat e ndryshme që kanë shprehur dëshirë për të na takuar.
Kjo vizitë studimore u mundësua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Komunës së Pejës, në kuadër të projektit “Partneriteti publiko-civil për qeverisje inovative të infrastrukturës publike” i zbatuar nga Anibar, Lumbardhi, 7Arte dhe Pogon. /KultPlus.com
Përmbajtja e kësaj vizite është përgjegjësi e organizatorëve dhe nuk i paraqet domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.