Hapet ankandi më i madh i bizhuterive në histori

4 Maj, 2023 - 1:23 pm

Shitja e bizhuterive të trashëgimtares miliardere austriake Heidi Horten, e cila ndërroi jetë në qershor 2022 në moshën 81-vjeçare, filloi të mërkurën me një ankand online.  Shtëpia e ankandeve Christie’s të mërkurën hapi ankandin online të qindra bizhuterive që i përkisnin miliarderes austriake, Heidi Horten.

“Javën e ardhshme në Gjenevë do të ofrohet më spektakolari prej rreth 400 bizhuterive”, tha zëdhënësja e shtëpisë së ankandeve Christie’s për të përditshmen zvicerane “Aargauer Zeitung”.

Në vjeshtë do të shiten 300 copë të tjera. Një nga xhevahirët më të vlefshëm është gjerdani i diamantit 90 karatësh në formë loti “Briolette of India”. Legjenda thotë se ajo i përkiste Eleanorës së Akuitanisë, mbretëreshës së Francës, në shekullin e 12-të.

Megjithatë, sipas Këshillit Natyror të Diamantit, ekziston edhe një histori që diamanti e kishte origjinën nga Afrika e Jugut dhe i përkiste Pierre Cartier, i cili shpiku një histori ekzotike për të rritur vlerën e tij. Gjerdani vlerësohet në 15.6 milionë dollarë, raportojnë mediat e huaja.

Sipas Christie’s vlera totale e koleksionit shkon deri në rreth 150 milionë dollarë. Kjo e bën këtë koleksionin më të vlefshëm të bizhuterive private që janë shitur ndonjëherë në ankand.

Të ardhurat nga ankandi janë destinuar për fondacionin humanitar të themeluar nga Horten. Fondacioni “Heidi Horten” financon kërkimet mjekësore dhe drejton një muze të inauguruar vitin e kaluar në zemër të Vjenës me koleksionet e artit që ajo mblodhi gjatë jetës së saj, duke përfshirë vepra nga Pablo Picasso, Marc Chagall, Emil Nolde, Andy Warhol, Lucio Fontana dhe Damien Hirst.

Heidi është trashëgimtarja e Helmut Horten (1909-1987) i cili ngriti themelet e pasurisë së tij gjatë epokës naziste, kur ai mori dyqanet e mëdha të shpronësuara nga hebrenjtë. Heidi Horten përgatiti një raport ekspertize i cili arriti në përfundimin në fillim të vitit 2022 se Helmut Horten përfitoi nga grabitjet naziste.

Christie’s planifikon të dhurojë një pjesë të të ardhurave nga ankandi për një organizatë të dedikuar për kërkimin dhe edukimin e Holokaustit. / abc news / KultPlus.com

Të ngjajshme