24 Maj, 2021 - 4:28 pm
Era Berisha
Disa nga dëshmitë e vendosura brenda Muzeut ku nisi puna e Bibliotekës Presidenciale ‘Dr. Ibrahim Rugova’ ishin ato si: Referendumi, Shoqatat humanitare, lëvizja LDK, kryesitë e LDK-së, Miqtë e Kosovës, zgjedhjet 2000/2001, shëndetësia, kafe galeria Koha, manifestimi kulturor ‘Flaka e Janarit’, libri i klasës për shkolla të mesme dhe pasqyra e ligjëratave të vitit 1992/93, gjykimet në Hagë, Çlirimi e Internacionalizmi dhe fakte mbi këtë shtëpi.
Por këto nuk janë dëshmitë e vetme të vendosura brenda këtij muzeu, ngase aty tashmë përfshihen edhe fotografi e fakte mjaft interesante si: Kushtetuta e vitit 1990, Shpallja e Pavarësisë, Biografia dhe Vdekja e Rugovës, Qarku i Prishtinës, Rezistenca civile në Kosovë, zgjedhjet e vitit 2000/2001, faqe të gazetës ‘Rilindja’, media të ndryshme e shumë informacione të tjera të cilat dëshmonin për një histori të hershme të përpjekjeve të rëndësishme për shpalljen e shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës, shkruan KultPlus.
Sot me rastin e fillimit të punës së Bibliotekës Presidenciale ‘Dr.Ibrahim Rugova’, të pranishëm ishin edhe tre ish Presidentët e Republikës së Kosovës si: Atifete Jahjaga, Fatmir Sejdiu dhe Behgjet Pacolli, si dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, të cilët patën rastin të shohin dokumentimin e fakteve të veçanta që ishin të vendosura në muret e bardha të këtij muzeu e të cilat jehonin me prezencën e figurës së njohur, Ibrahim Rugovës.
E pikërisht për të shënuar këtë ditë, fillimisht nisi fjalimin vetë Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu.
“Vendosëm që me 24 maj ta vizitojmë shtëpinë e Pavarësisë, shtëpinë që i dedikohet përpjekjeve epokale, përpjekjeve tejet të mëdha të cilat kulmuan edhe në shpalljen e shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës, përpjekje këto të udhëhequra nga Presidenti historik Ibrahim Rugova të cilat ndodhën në këtë shtëpi të vogël por e cila impaktin e kishte jashtëzakonisht të madh”, thotë Osmani.
Sipas saj, së bashku me tre presidentët ata panë dëme të mëdha që forcat serbe ia kishin bërë kësaj shtëpie duke e djegur në vitin 1999, ku kishte mbetur vetëm një fotografi e Presidentit Rugova por falë miqve e bashkëpunëtorëve të tij brenda dhe jashtë Kosovës, janë ruajtur shumë fotografi e kujtime të cilat e dëshmojnë punën e jashtëzakonshme që është bërë në këtë shtëpi duke i ndërtuar themelet e para të shtetit tonë të pavarur.
“Edhe sot me 24 maj siç po e shihni këtu ku janë edhe kujtimet nga ajo ditë në vitin 1992, jemi bashkuar sërish për të përkujtuar këtë kontribut të jashtëzakonshëm për vendin dhe popullin tonë, për tu siguruar që këto mesazhe, për këto punë e sakrifica të mëdha, ti dërgohen edhe brezave të ardhshëm e gjeneratave të reja në mënyrë që të mos harrohen” përfundon Osmani.
Ndërsa, Fatmir Sejdiu tregoi për pjesëmarrjen e tij në themelet e para të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Kjo ditë e rëndësishme po shënohet me momentin kur edhe është zgjedhur Presidenti i parë në Kosovë. Ky është objekti që vërtetë ka qenë baza e të gjitha aktiviteteve më të rëndësishme që janë bërë në Kosovë. Po nisem prej dizajnit së objektit që ka qenë selia ‘Shoqata e Shkrimtarëve’, ku është themeluar Lidhja Demokratike e Kosovës me 23 dhjetor në vitin 1989 ku edhe unë isha pjesëmarrës në atë Kuvend për ngjarjen e rëndësishme dhe në këtë hapësirë kaq të ngushtë kemi kryer veprimtarinë tonë”, thotë Sejdiu.
Sipas tij, një pjesë e gazetarëve kanë qenë prezent në atë kohë dhe nuk ka ndodhur asnjëherë që gazetarët për një ngjarje të tillë të publikojnë një lajm të rrejshëm. Ai kujton edhe kur rreth 2000 informatorë ditor, në kuptimin më të mirë të mundshëm që kanë sakrifikuar vetveten.
Ndërsa për fund edhe ish Presidenti, Behgjet Pacolli tregoi për një video që ende qarkullon ku janë dokumentuar edhe tre gjenocide.
“Jemi shumë kurioz të dimë gjithçka që ka ndodhur atëherë. Viteve të 90-ta është hapur një muze shumë interesant ku unë kam pasur mundësi të montoj një video me njerëz të kohës e vendit dhe sot materialet janë tre këndet kryesore për gjenocidin Bala, gjenocidin në Bosnjë dhe në Kosovë. Është një video që gjithmonë lëviz dhe do kisha pasur dëshirë që në Kosovë të mos harrohet dhe të krijohen donacione, për të formuar një muze për atë se çfarë ka ndodhur në Kosovë”, thotë Pacolli.
Sipas tij, është me rëndësi që në bazë të kaluarës të ndërtohet një e ardhme kualitative.
Ky aktivitet u përmbyll edhe me një shënim nga ana e Osmanit në librin e vendosur në qendër të këtij Muzeu./ KultPlus.com