12 Qershor, 2023 - 6:00 pm
Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Universitetin Politeknik të Milanos çeli ekspozitën “Progetti per Tirana”/ “Projekte për Tiranën”.
Ekspozita paraqet punime diplomash, kushtuar kryeqytetit shqiptar dhe të krijuara nga studentët në laboratorin e masterit të Shkollës së Arkitekturës AUIC të Politeknikut të Milanos të drejtuar nga prof. Raffaella Neri.
“Projekte për Tiranën” do të qëndrojë e hapur deri më 16 qershor 2023, në hollin e katit të dytë të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Ceremonia e çeljes së ekspozitës pasohet nga një tryezë e rrumbullakët me ekspertë shqiptarë dhe italianë, e koordinuar nga Frida Pashako dhe që përfshin drejtuesit e projekteve të studios “Stefano Boeri Architetti”. Temë qendrore e takimit janë projektet kryesore dhe vizioni që ka kjo studio për Tiranën, me fokusin tek vlerësimi i hapësirave publike dhe zbatimi i filozofisë së pyllëzimit urban.
Universiteti Politeknik i Milanos në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës ka studiuar disa projekte për tre zona të mëdha të qytetit në procesin e urbanizimit të ri: zhvillimi i aksit të gjatë që përfaqëson vazhdimin e elementit të parë gjeneratorit të kryeqytetit, për të cilin janë zhvilluar dy hipoteza të masterplanit të ndryshme; zona e ish fushës e Aviacionit si dhe vendbanimi i përzier përgjatë brigjeve të Liqenit të Farkës, një pasuri e çmuar e qytetit./atsh/KultPlus.com