29 Shtator, 2022 - 10:30 pm
Në 50-vjetorin e Akademisë së Shkencave u organizua ekspozita filatelike me pullat e emetuara nga Posta Shqiptare në nder të personaliteteve më të shquara të albanologjisë.
Ekspozita “Figura e akademikut në pullat e postës shqiptare” u përgatit nga Posta Shqiptare në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave.
Administratorja e Postës Shqiptare, Anisa Kaltanji dhe kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi morën pjesë në çeljen e ekspozitës në hollin e Akademisë së Shkencave.
Në ceremoninë e hapjes folën akad. Vasil S. Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Anisa Kaltanji.
Anisa Kaltanji, administratorja e Postës Shqiptare tha se kjo ekspozitë vjen në kuadër të ngjarjeve të planifikuara për 50-vjetorin e themelimit të Akademisë së Shkencave më 10 tetor 2022 dhe për 110-vjetorin e Postës Shqiptare më 5 dhjetor 2022.
Akad. Vasil Tole tha se ekspozimin e pullave postare me portretet e akademikëve, posta e bën në kuadër të 110-vjetorit të saj, prej kur qeveria e Ismail Qemalit, një javë pas ngritjes së Flamurit të Pavarësisë, ngriti ministrinë e Post-Telegrafës me në krye Lef Nosin.
Ky koleksion, pjesë e arkivit të Postës Shqiptare përmban pullat me figurat e Aleks Budës, Eqrem Çabejit, Ismail Kadaresë, Shaban Demirajt, Mahir Domit, Kristo Frashërit, Odhise Paskalit, Dhimitër Shuteriqit dhe Dritëro Agollit, të cilat u ekspozuan së bashku për herë të parë për publikun e gjerë.
Pjesëmarrës ishin edhe familjarë të këtyre personaliteteve, akad. Dhimitër Haxhimihali, dhëndër i Aleks Budës, Floriana Paskali (vajza e akad. Odhise Paskalit), Etleva Domi (vajza e akad. Mahir Domi) dhe Eglantina Demiraj (vajza e akad. Shaban Demiraj).
Floriana Paskali, Etleva Domi dhe Eglantina Demiraj folën në emër të familjarëve të akademikëve të përuruar në pullën postare shqiptare dhe kujtuan me krenari kontributin ndër vite të të afërmve të tyre.
Realizimet artistike të pullave janë bërë nga Erion Kaceli, Artion Baboçi, P. Papa, M. Delija, M. Arapi, L. Mema./atsh/ KultPlus.com