25 Nëntor, 2021 - 5:30 pm
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë hapi sot ekspozitën retrospektive “Jehona e Pavarësisë në shtypin e kohës”.
Me anë të kësaj ekspozite Biblioteka Kombëtare hapi aktivitetet kulturore që do të zhvillohen në mbarë vendin në kuadër të Javës së Flamurit, organizuar nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me institucionet kulturore.
Në fjalën përshëndetëse, nëndrejtorja e BKSH-së, dr. Etleva Domi, u shpreh se “kjo ekspozitë, që vjen për herë të parë për publikun, rrok periudhën nëntor 1912 – dhjetor 1913, nisur edhe nga fakti që organet e para të shtypit shqiptar të botuara brenda trojeve shqiptare dolëm pas kësaj ngjarjeje të rëndësishme historike. Mungesa e shtypit në vend bëri që njoftimet e para të jepen nga shtypi i diasporës, i drejtuar nga personalitete, si: Noli, Konica, Kristo Floqi, Kristo Luarasi etj.”.
Kjo ekspozitë retrospektive nga fondet e Bibliotekës Kombëtare sjell pasqyrimin që pati kjo ngjarje historike për kombin shqiptar në shtypin e kohës përgjatë një viti./atsh/KultPlus.com