Hapet ekspozita ‘Persekutimi i Hartuesve të Alfabetit Shqip’

3 Mars, 2025 - 10:33 pm

Në Institutin Albanologjik u hap ekspozita “Persekutimi komunist i hartuesve të alfabetit shqip dhe familjarëve të tyre”. Kjo ekspozitë ka për qëllim dokumentimin dhe informimin e opinionit për persekutimet që janë bërë në Shqipëri por që përfshinë edhe kosovarët. Me këtë rast u nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi.

Kjo ekspozitë është e veçantë dhe pasqyron të kaluarën e errët dhe formësimin kombëtar të shqiptarëve.

Hartuesve të alfabetit iu mohua atdhedashuria, liria dhe lufta e tyre për të pasur një gjuhë të përbashkët, vetëm sepse politikisht nuk ishin të përshtatshëm për regjimin komunist.

Petrit Malaj, Ambasador i Shqipërisë, tha se ajo çka është e rëndësishme për ne është pasqyrimi i historisë së vërtetë ashtu siç është.

“Në rastin konkret kemi të bëjmë me një ekspozitë ku përfaqësohen individë që kanë dhënë shumë për alfabetin shqip, për gjuhën tonë shqipe, kanë dhënë shumë për Shqipërinë dhe më pas kanë pasur një repression, kanë pasur një moment tepër të keq për vetën e tyre, për familjet e tyre dhe për gjërat që rrodhën pastaj”, ka thënë Malaj.

Kurse Çelo Hoxha, drejtor ekzekutiv në ISKK, ka thënë se kjo është ekspozita e pare e një serie ekspozitash në lidhje me persekutimin e elitës shqiptare.

“Kjo ekspozitë është fokusuar tek persekutimi që u është bërë nga regjimi komunist hartuesve të alfabetit shqiptar, familjarëve të tyre, trashëgimtarëve të tyre, por një pjesë janë të persekutuar personalisht që kanë qenë gjallë në atë periudhë”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa Naim Berisha, ud. drejtor i Institutit Albanologjik, tha se dita e sotme është edhe një formalizim i një marrëveshje bashkëpunimi me Institutin për studimin dhe pasojat e komunizmit në Tiranë.

“Është në kuadër të disa fushave studimore që ne në njëfarë forme e mbulojmë, është në interesin tonë, në interes të Institutit Albanologjik”, tha ai.

“Arsyeja që ne kemi ardhur me këtë ekspozitë, pikërisht. Ekzekutimi komunist i disa hartuesve të alfabetit shqip dhe disa prej familjarëve të tyre, është pikërisht se në Shqipëri vitin e kaluar data 22 nëntor u shpall festë zyrtare “Dita e gjuhës shqipe” dhe Instituti i Krimeve të Komunizmit dhe pasojat e krimeve në Tiranë në bashkëpunim me Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir ideuam krijimin e kësaj ekspozite”, ka thënë Dorina Daiu, kuratore e ekspozitës.

Gjatë ekspozitës u prezantuan fakte të panjohura më parë mbi persekutimin komunist të hartuesve të alfabetit shqip dhe familjeve të tyre.

Arbana Hajredinaj-rtk/ KultPlus.com

Të ngjajshme