2 Korrik, 2020 - 2:01 pm
Një hotel që pretendon se është i pari në botë i larë me flori, është hapur në kryeqytetin vietnamez, Hanoi.
Gjithçka, që nga tualetet e deri te vaskat, nga lugët e pirunët e deri tek dushet, në hotelin “Dolce Hanoi Golden Lake”, është e larë me flori 24 karatësh. Ka madje edhe një pishinë të larë në flori që ofron një fushëpamje nga qyteti. Por, siç transmetojnë mediet e huaja, mysafirët duhet të nxjerrin nga xhepat 250 ose më shumë dollarë për një nga 260 dhomat në hotelin me 25 kate në Hanoi, ku edhe vaktet mund të jenë të përziera me pluhur ari.
“Hoteli ka në shënjestër këdo, që nga njerëzit e thjeshtë e deri tek super të pasurit, që mund ta vizitojnë atë dhe të reklamojnë pushimin e tyre atje në të gjithë botën”, thanë drejtuesit e tij.
“Kur hyra në këtë hotel të larë në flori, m’u duk sikur statusi im u rrit papritur dhe me të vërtetë shijova atmosferën luksoze dhe elegante këtu”, thotë një prej vizitorëve.
Për ndërtimin e hotelit janë dashur afërsisht 200 milionë dollarë, thonë pronarët, duke shpjeguar se ata kishin përdorur një fabrikë vietnameze për të prodhuar sendet e lara me flori duke reduktuar në mënyrë domethënëse kostot.
“Me siguri, duke filluar nga viti i ardhshëm, ne do të fillojmë të bëjmë para”, thonë ata. / KultPlus.com