21 Qershor, 2024 - 1:51 pm
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se rrobat e të mbijetuarave të dhunës seksuale, janë ekspozuar në Hagë të Holandës nga artistja Alketa Xhafa-Mripa.
“Rrobat e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, si dhe nga 19 shtete të tjera, u ekspozuan në qytetin e Hagës në Holandë, të organizuar në bashkëpunim me Mukwege Foundation, Ambasada e Kosovës në Holandë dhe Komuna e Hagës”, ka shkruar ai.
Rama u shpreh se instalacioni artistik i Alketa Xhafa Mripa, i quajtur “Thinking of you”, shpreh kujtimin dhe solidaritetin për të gjitha të mbijetuarat e dhunës seksuale në konflikte.
Të pranishme gjatë ekspozimit të tyre ishin edhe Vasfije Krasniqi dhe Shyhrete Tahiri, që janë dy prej të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Prezenca e tyre u bë zëri i shumë viktimave që kërkojnë drejtësi pa pushim për krimet e kryera ndaj tyre nga shteti serb. Vasfije dhe Shyhrete, me historitë dhe përvojat e tyre të trishta, na kujtojnë se drejtësia dhe njohja e këtyre krimeve është detyrë e përhershme e njerëzimit”, ka shkruar Rama.
Në fund, Rama tha se ky event në Hagë, që është Qyteti Ndërkombëtar i Paqes dhe Drejtësisë, është një thirrje e fuqishme për drejtësi dhe një përpjekje për të mos lejuar që zërat e të mbijetuarave të heshten./KultPlus.com