24 Maj, 2021 - 1:42 pm
Era Berisha
Për të tetëmbëdhjetën herë me radhë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” organizoi veprimtarinë kulturore “Java e Bibliotekës në Kosovë”, shkruan KultPlus.
Aktivitete të shumta të natyrës kulturore e bibliotekare dhe sesione shkencore që trajtojnë tema të rëndësishme nga bibliotekaria, komunikimi, historia, teknologjia informative, referencat, digjitalizimi janë disa nga ngjarjet që do të ndodhin gjatë kësaj jave, nga sot e deri më 30 maj.
“Kujtesa Kombëtare: koleksionet audiovizuele dhe efemeret” është tema bosht e këtij edicioni që ceremoninë hapëse e pati sot në hollin e bibliotekës.
Në hapje të kësaj ceremonie fjalën e mori drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku i cili bëri thirrje që kjo javë të jetë si thirrje për të vepruar në kuptimin e dijes.
“Java e Bibliotekës së Kosovës është javë për tu festuar por edhe për të vepruar në kuptimin e dijës, përvojës për Bibliotekën tonë dhe për tu njohur me kontributet e punonjësve dhe promovuar përdorimin me mbështetjen e bibliotekave dhe për të reflektuar mbi këto biblioteka”, thotë Bajraku.
Sipas tij, tema e javës së Bibliotekës këtë vit është kujtesa kombëtare“ Kujtesa Kombëtare : koleksionet audiovizuele dhe efemeret”, në përqendrim se çfarë dhe si duhet ta ruajmë kulturën e këtij formati, pra për materialet autovizive duke filluar nga videot, kasetat, DVD-të, kasetat audio, CD audio si dhe për efemere të cilat janë të rëndësishme dhe arrijnë të marrin vlerë materiale kulturore.
Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani në fjalën e saj u shpreh se kjo javë vë në pah rolin thelbësor që bibliotekat e kanë për promovimin e leximit kurse në anën tjetër u jep zë sfidave të shumta dhe nevojave të institucioneve bibliotekare në Kosovë për të përkrahur pragun, përpjekjet e tyre dhe kapacitetet në shërbim të lexuesve.
‘Ne kemi nevojë që ta bëjmë sa më të dukshëm rolin e bibliotekave dhe të njihet funksioni i tyre si një ndër shtyllat e forta të popullit të Kosovës”, tha Osmani duke njoftuar tutje se pikërisht sot, në ditën e hapjes së Javës së Bibliotekës por edhe në shënimin e Ditës së Presidentit, nis punën edhe Biblioteka Presidenciale “Dr.Ibrahim Rugova.”
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku u shpreh i kënaqur që sot ndodhej në shtëpinë e librit, vend ky që zë vend dhe ka peshë të madhe në shoqërinë tonë.
“BBK si strofull e informacionit, gëzon javën e Bibliotekës gjatë së cilës do të bëhen bashkë studiues, student, shkrimtarë, historianë e profesionistë të ndryshëm që kontribuojnë në këtë fushë në një formë apo tjetër”, tha Ceku.
Deborah MacLean, drejtore e Sektorit për Marrëdhënie me Publikun nga Ambasada Amerikane në Kosovë, në fjalën e saj përshëndetëse u shpreh se kjo është një mundësi fantastike për të mësuar më shumë për rëndësinë e librit.
“Faleminderit për mundësinë për të folur rreth rëndësisë së librarive. Java e Bibliotekës është një mundësi fantastike dhe ne i mirëpresim dhe i shprehim urimet tona lidhur me njoftimin e bibliotekës presidenciale që do të bëjë që historia të gjallërohet përmes kësaj biblioteke”, ka thënë MacLean.
Ndërsa Rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti u shpreh se BKK është më shumë se një institucion.
“Në cilësinë e tiparit të Universitetit të Prishtinës, i uroj të gjithë nxënësit, studentët, studiuesit për nisjen e kësaj jave të rëndësishme në Kosovë. BBK është më shumë se sa një institucion, jo vetëm që kjo ndërtesë simbolizon dijen dhe sakrificën por edhe gjithçka rreth saj mban peshën e trashëgimisë tonë e cila për të arritur deri këtu ka ecur nëpër terrene jo çdo herë të qëndrueshme”, thotë Sahiti.
Sipas tij, në këto ditë duhet të reflektojmë se ruajtja e traditës, dokumentimi i saj dhe përcjellja e çdo gjenerate është sfidë dhe kënaqësi në të njëjtën kohë. Kurse, për Universitetin e Prishtinës dhe BKK, kjo javë është një rëndësi e veçantë.
Krejt në fund të kësaj ceremonie, u ndanë edhe mirënjohja nga BKK për donatorët që kanë kontribuar në pasurimin e koleksioneve të BKK-së. Ministri Çeku pati rastin të ndajë këto mirënjohje për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, për përfaqësuesin e familjes së Hasan Hasarit, për profesorin Abdullah Kajradiu, për Sami Dermaku si dhe për Hajrush Ahmeti.
Ndërsa, nga Osman Gashi u ndanë çmime edhe për përcjelljen e aktiviteteve së BBK-së dhe veprimtarisë, për gazetaret Lumira Kelmendi nga RTK dhe Drenushë Shala nga Dukagjini.
Kjo ceremoni u pasua me hapjen e ekspozitës “Kujtesa kulinare e Kosovës: menytë e restoranteve” me kuratore Taibe Bashota dhe Fahrije Marmullaku.
Në fjalën hapëse të kësaj ekspozite, Arsim Canolli shpalosi informacione mbi ekspozitën e cila u shpalos në katin e dytë të bibliotekës.
Java e Bibliotekës në Kosovë organizohet nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com