14 Mars, 2022 - 4:48 pm
Mbrëmë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është mbajtur ceremonia e hapjes së “Javës së Frankofonisë” organizuar nga Ambasada Franceze në bashkëpunim me ambasadorët e shteteve frankofone.
Edicioni i 22-të i kësaj ngjarje do të sjell një program të pasur kulturor artistik që përfshin aktivitete të shumta në fushën e artit, kulturës, sportit, trashëgimisë, inxhinierisë, njohurive mbi BE-në, dhe tema të tjera mbi aktualitetin.
Të pranishëm në hapje ishin personalitete të shumta ndërkombëtare dhe vendore përfshirë këtu, Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, Ambasadori i Zvicrës, Thomas Kolly, Ambasadori i Kanadasë për Kosovë dhe Kroaci, Alan Bowman, shefi i ri Zyrës Diplomatike të Belgjikës në Kosovë, Julien Sassel, Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku e të tjerë.
Ceremonia u mbyll me një recital nga sopranoja, Besa Llugiqi, me përcjellje të pianistit dhe pedagogut të muzikës, Mizbah Kaçamaku. / KultPlus.com