7 Tetor, 2019 - 3:49 pm
Qendrim Badalli
Në oborrin e Qeverisë së Kosovës, po valëvitej një flamur i ri, ai ishte flamuri i komunitetit LGBTI. Sot u hap Java e Krenarisë, me moton “Për kon t’rreh zemra”. Në ndërtesën e Qeverisë, erdhën një numër përfaqësuesish të ambasadave, ambasadori amerikan Philip Kosnet, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, avokati i Popullit, Hilmi Jashari, si dhe një numër i madh i aktivistëve të komunitetit LGBTI, shkruan KultPlus.
I pari që e morri fjalën ishte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se beteja për respektimin e të drejtave individuale është e papërfunduar.
“Beteja për respektimin e Të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Individuale ashtu siç janë të definuara në Kushtetutën e Kosovës ende nuk përfunduar. Demokracia e bazuar në pushtetin e shumicës është e rëndësishme por liria definohet në atë se sa e mbrojmë edhe pakicën”.
Tutje, Thaçi ka thënë se ai do të vazhdoj të jetë përkrahës i këtij komuniteti.
“Dua të ju falënderojë edhe njëherë që keni dëshmuar se jeni luftëtar të vërtetë të Kosovës së re, të progresit dhe dedikimit ndaj vlerave më të larta të Kushtetutës dhe shoqërisë së Kosovës, mua do të më keni partner dhe do të keni mbështetjen time në rrugëtimin tuaj”.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka thënë se shteti i Kosovës ka shënuar progres në respektimin e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut.
“Në cilësinë e Avokatit të Popullit është e pamundur dhe e pashmangshme që të mos përmendi progresin që shteti ynë ka bërë në respektimin e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut sado të vogla që duken ato”.
Ai ka shtuar se Kushtetutës së Kosovës duhet t’i jepet shpirt dhe se institucionet duhet ta rrisin koordinimin e tyre.
“Ne kemi Kushtetutën e Kosovës, të cilës duhet t’i japim shpirt, frymë. Shpesh herë kur flasim për Kushtetutën e shohim si diçka abstrakte jo si diçka që duhet ti japim shpirt. E dyta duhet të koordinohemi më shumë mes vete”.
Aktivisti i shoqërisë civile, Liridon Veliu, ka thënë se ky komunitet ka punuar intenzivisht për avancimin e pozitës së tyre.
“Për shumë vite kemi punuar pandërprerë në Kosovë për t’i avancuar të drejtat e komunitetit LGBT në Kosovë, të drejtat themelore të cilat janë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe me legjislacionin në fuqi”.
Lendi Mustafa, njëri nga personat e parë që pranoi publikisht orientimin e tij seksual, ka thënë se shpreson që liderët tjerë pos Hashim Thaçit të angazhohen më shumë rreth tyre në të ardhmen.
“Ne kemi pritë shumë që e kemi me marrë përkrahje nga liderët politik meqë tashmë ata janë në pozitë, por shpresoj se në të ardhmen jo vetëm që do të jenë prezent por edhe kanë me i shty çështjet përpara”. Tutje, ai ka thënë se nga viti i kaluar deri më sot ka një ndryshim shumë të madh dhe pozitiv në raportin e këtij komuniteti me shoqërinë.
“Ka pasur një ndryshim pozitiv tepër të madh, ndryshim që askush nuk e ka pritë. Ka pasur shumë më shumë persona LGBTI që kanë mundur të dalin haptas dhe të ndihen pak më rahat. Krahasuar me vitet e kaluara, situata është shumë më e mirë”.
Konferenca ka përfunduar për të vazhduar me një koktej rasti. Java e Krenarisë do të mbyllet me Paradën e këtij komuniteti, e cila organizohet tash e sa vite dhe që përgjithësisht ka kaluar në mënyrë të qetë dhe pa incidente. / KultPlus.com