20 Nëntor, 2022 - 12:37 pm
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka çelur këndin më të ri arkivor, në Selanik në përmbajtje të zotimit për të ofruar mundësi të njëjta hulumtimi në dokumente arkivore. Këtej e tutje, falë bashkëpunimit mes DPA-së dhe komunitetit lokal të Selanikut, bashkëkombasit e atjeshëm do mund t’u qasen materialeve historike, sikurse të ishin të pranishëm në sallën e studimit në Tiranë.
Inaugurimi i këndit arkivor dhe prezantimi i platformës online u kryen nga kreu i DPA-së, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido. Mes zyrtarëve lokalë qenë të pranishëm kreu i komunitetit bashkëpunues, Dr. Luan Zyka, anëtarë të këtij komuniteti dhe përfaqësues të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Selanik.
Në fjalën e tij për mediet, Bido u shpreh se përmes Këndit Arkivor të porsainauguruar, synohet të lehtësohet qasja në dokumentacion.
“Hapim në Selanik një sallë studimi, siç kemi bërë në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë së Veriut, në komunat arbëreshe në Italinë e Jugut, në Hania, në mënyrë që çdokush që ka interes studimor në Arkivin e shtetit shqiptar, të mos ketë nevojë as të paguajë përmes shërbimit online, as të detyrohet që të vijë në Tiranë, por përmes kësaj Salle të mundet të aksesojë lirisht dokumentacionin arkivor, njësoj sikur të ishte në Tiranë. Ne prej vitesh kemi ngritur një Sallë Studimi të konceptuar si platformë elektronike të vendosur në një hapësirë fizike, që mundëson zhvendosjen virtuale të kësaj platforme kudo ku frymon shqiptaria”, tha Bido.
Ndërkaq, Zyka e vlerësoi nismën e DPA-së si origjinale dhe të dobishme për shfrytëzimin e pasurisë dokumentare kombëtare.
“Marrëveshja përbën përhapjen virtuale të shqiptarisë përtej kufijve shtetërorë. I falënderoj për këtë nismë. Është diçka origjinale. Është një lidhje e faktorit shqiptar në të gjithë botën. Gjithashtu, ka edhe rëndësi praktike sepse në Selanik, përveçse ka një numër shumë të madh shqiptarësh, ka edhe një numër shumë të madh studentësh e studiuesish, që jam i bindur se do të përdorin Këndin Arkivor, si pjesë e DPA-së, për t’u lidhur me thesarin e kujtesës së kombit shqiptar”, u shpreh Zyka.
Prej këtyre këndesh arkivore, çdo studiues merr shërbim ekuivalent, pavarësisht vendndodhjes, duke evokuar kështu unitetin e kombit. Për të përftuar qasjen falas në materialet arkivore, hulumtuesi duhet të regjistrohet më parë në rrugë online në adresën katalogu.arkiva.gov.al, pa qenë e nevojshme të paraqitet në mjediset e Këndit Arkivor.
Më pas, kërkesa e depozituar prej tij për hapjen e një llogarie, do të aprovohet brenda harkut kohore të një dite pune. Ndërkohë, përmes postës elektronike aplikuesi do të pajiset me fjalëkalimin që i mundëson aksesimin e dosjeve të porositura, në ditën e përzgjedhur nga vetë ai. Këto materiale qëndrojnë të qasshme për pesë ditë pune, kohë gjatë të cilës studiuesi mund t’i konsultojë në këndin arkivor.
Kjo nismë e DPA-së ka trajtë mbarëkombëtare dhe është shtrirë deri më tani në dhjetëra qytete, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Këndi arkivor i Selanikut është i dyti në radhë në territorin e Greqisë, pas hapësirës studimore të çelur në Hania, në shkurt të këtij viti./atsh/ KultPlus.com