20 Dhjetor, 2023 - 10:04 am
Në një ceremoni solemne, u zhvillua hapja zyrtare e Konsullatës së Nderit të Republikës së Letonisë në Republikën e Kosovës. Konsulli i Nderit, Ardian Hoxha, priti mysafirët e nderuar dhe foli rreth vizionit dhe qëllimeve që ka me Konsullatën e Nderit.
“Çdo ditë mësoj më shumë për Letoninë dhe shoh shumë ngjashmëri mes dy vendeve dhe kombeve tona,” tha Konsulli Hoxha. “Për këtë arsye, besoj se është shumë e rëndësishme të forcojmë lidhjet diplomatike, ekonomike, sportive dhe kulturore mes Letonisë dhe Kosovës. Letonia ka kaluar në një rrugëtim të ngjashëm me atë të Kosovës jo shumë kohë më parë dhe mund të mësojmë shumë nga ajo në rrugëtimin tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.”
Ai shtoi se Konsullata e Nderit do të shërbejë si urë lidhëse mes Letonisë dhe Kosovës dhe se dyert janë të hapura për çdo lloj mbështetjeje apo lehtësimi të tregtisë, investimeve dhe partneriteteve ekonomike dhe kulturore. “Do të fokusohemi gjithashtu në shkëmbimin kulturor dhe arsimor dhe shpresojmë të luajmë një rol në nxitjen e kuptimit dhe respektit të ndërsjellë,” theksoi Hoxha.
Ambasadorja Elita Kuzma gjithashtu u drejtua të pranishmëve dhe deklaroi se, “Ne dëshirojmë të ju mbështesim praktikisht si dhe politikisht sa më shumë që të jetë e mundur. Prania jonë në KFOR me ushtrinë kombëtare të Letonisë tregon angazhimin tonë se siguria në Evropë është e pandarë dhe është shumë e rëndësishme për kontinentin tonë.”
Zëvendeskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ishte e ftuara e nderit në këtë ceremoni. Ajo theksoi rëndësinë e hapjes së kësaj Konsullate në vendin tonë, duke vlerësuar në veçanti rolin mbështetës të vazhdueshëm të Letonisë në të gjitha proceset e shtetndërtimit të Kosovës, si dhe në aspiratat e integrimit euro-atlantik dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Ministrja Gërvalla u shpreh se “rritja e mëtejme e bashkëpunimit dypalësh në mes dy vendeve në të gjitha fushat e interesit të përbashkët është synim i yni i vazhdueshëm.” Në ceremoninë zyrtare të hapjes së Konsullatës së Nderit, krahas shumë mysafirëve të ftuar, ishin të pranishëm edhe ambasadorë të shumtë, si dhe pjesëmarrës nga komuniteti i biznesit dhe shoqërisë civile.
Ky event shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy shteteve dhe popujve, duke hapur një kapitull të ri të bashkëpunimit dhe miqësisë mes Letonisë dhe Kosovës. / KultPlus.com