Hapet në Korçë ekspozita në nderim të piktorit Vangjush Tushi

5 Korrik, 2024 - 8:30 pm

Në qytetin e Korçës u çel ekspozita në nder të piktorit korçar Vangjush Tushi.

Kjo ekspozitë mbi veprimtarinë dhe jetën e “Piktorit të Popullit” Vangjush Tushi, mblodhi shumë artdashës korçarë.

Në ekspozitë janë prezantuar për herë të parë piktura nga koleksioni i familjes dhe disa nga sendet personale të piktorit.

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole i pranishëm në çeljen e ekspozitës, tha se “artisti Vangjush Tushi meriton mirënjohjen dhe vlerësimin tonë për kontributin në jetën artistike të qytetit tonë”.

Ekspozita në nder të piktorit Vangjush Tushi do të jetë e hapur për 3 ditë radhazi në galerinë “Guri Madhi” në Korçë, të cilën mund ta vizitojnë të gjithë artdashësit.

Vangju Tushi u arrestua dhe dënua me 10 vite heqje lirie, për agjitacion e propagandë, ndonëse ishte i sëmurë me parkinson. Pas 6 vitesh në burgun famëkeq të Ballshit, ai ndërron jetë në 30 korrik të vitit 1982, por la si trashëgimi të familjes, qindra piktura që e mbajnë gjallë e sot e kësaj dite figurën e tij.

Vangjush Tushi është vlerësuar pas vdekjes me titullin “Piktor i Popullit” nga presidenti i Republikës, po ashtu edhe me titujt “Qytetar Nderi”, “Emblema e Artë e Qytetit” dhe “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.

Një rrugë në qytetin e Korçës mban emrin e Vangjush Tushit në nder të figurës së tij./KultPlus.com

Të ngjajshme