20 Tetor, 2022 - 8:45 pm
Sot, në sallën e seancave plenare të Kuvendit, u përurua ekspozita “U rritëm në BE”, një veprimtari e përbashkët e Kuvendit dhe Ambasadës së Republikës Çeke.
Në ceremoninë e përurimit ishte e pranishme kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, deputete e deputetë të Kuvendit, ambasadori i Republikës Çeke, Karel Urban, ambasadorë dhe të ftuar të tjerë.
Ekspozita “U rritëm në BE” pasqyron një pjesë të rrugëtimit evropian të Republikës Çeke.
Në fjalën e saj, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, nënvizoi se, “rrugëtimi i Republikës Çeke drejt Bashkimit Evropian është një shembull i integrimit dhe plotësimit të standardeve evropiane e perëndimore”.
Kryetarja Nikolla shprehu mirënjohje ndaj Republikës Çeke për mbështetjen e vendosur të integrimit evropian të Shqipërisë dhe besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe gjatë zhvillimit të negociatave.
Nikolla falënderoi ambasadorin Karel Urban për hapjen e ekspozitës dhe nxitjen e bashkëpunimit mes dy vendeve e dy parlamenteve.
Ambasadori i Republikës Çeke, Karel Urban, falënderoi Kuvendin për bashkëpunimin në çeljen e ekspozitës dhe vuri në dukje se Republika Çeke do të vijojë të jetë një partnere dhe mbështetëse e fuqishme e integrimit evropian të Shqipërisë./atsh/ KultPlus.com