25 Tetor, 2022 - 3:26 pm
Vazhdojnë sukseset e Shkollës Shqipe në Zvicër, nga njëra shkollë te tjetra, nga njëri kanton te tjetri, vazhdon të rritet interesimi i prindërve dhe njëkohësisht edhe i nxënësve, të cilët vijnë me përkushtim t`i ndjekin mësimet në gjuhën amtare. A ka gëzim më të madh kur i sheh këta fëmijë, të buzëqeshur, të lumtur me abetare në duar.
Mësuesja Qefsere Sejdiu së bashku me nxënësit e shkollës shqipe në Rümlang të Zyrihut dje, e hënë, datë 24 tetor 2022 hapi dyert e shkollës shqipe në Rümlang të Zyrihut. E kemi thënë në vazhdimësi se aty ku mësuesit punojnë me përkushtim dhe bëhen bashkë me prindërit sukseset nuk mungojnë. Kjo është dëshmi e pikës shkollore në Rümlang të Zyrihut dhe dhjetëra pikave shkollore ku prindër dhe mësues u bënë bashkë me qëllim që të hapet pika shkollore sa më afërm këtyre fëmijëve, të cilët jetojnë dhe i vijojnë mësimet në shkollën e vendit në këtë rajon. Mësimi zhvillohet çdo të hëne nga ora 16:00 -18:30, ku Medini, Burhani, Jora, Aroni, Alisa, Xhensila, Saranda, Rejhani, Sara, Almini, Lorisi, Rinesa, Lea, Selina dhe Era ju bëjnë thirrje edhe bashkëmoshatarëve të tjerë, t`iu bashkëngjiten në orët mësimore të gjuhës shqipe.
Të gjithë kanë arsye të buzëqeshin, nxënës, prindër, mësues, sepse i shoqërojnë fjalët që mrekullueshëm tingëllojnë, ora e mësimit në gjuhën shqipe ka filluar!
Klasa ku zhvillohej mësimi në gjuhën shqipe i ngjasonte një çerdheje të vogël në vendlindje. Një copëz e atdheut shpërndahej nëpërmjet teksteve shkollore.
Në fytyrat e prindërve shihej qartë gëzimi se tani fëmijët e tyre jo vetëm që do të mësojnë edhe shqip, por edhe e kanë afër shkollën shqipe. Gatishmërinë e tyre për një bashkëpunim sa më të afërt e treguan edhe në mbledhjen e prindërve në mbrëmjen e kësaj të hëne, ku ata vullnetarisht zgjodhën edhe kryetaren e Këshillit prindëror, Burbuqe Elmazi, e cila së bashku me prindërit tjerë do të angazhohen jo vetëm në rritjen e numrit të nxënësve por edhe rreth aktiviteteve të lira. / Shkruan: Vaxhid Sejdiu / KultPlus.com