25 Gusht, 2021 - 9:56 am
Angelina Jolie është bërë përdoruesja më e shpejtë në Instagram që ka fituar një milion ndjekës.
Aktorja 46-vjeçare iu bashkua rrjetit të famshëm social gjatë fundjavës dhe ajo shpejt ka grumbulluar më shumë se shtatë milionë ndjekës në Instagram, shkruan Daily Mail, transmeton KultPlus.
Aktorja e “Eternals” tejkaloi Rupert Grint dhe Sir David Attenborough për këtë rekord, pasi ajo grumbulloi 2.1 milionë ndjekës të rinj në më pak se tri orë.
Ajo ndiqet nga: Drew Barrymore, Bella Hadid, Bella Thorne, Gretchen Rossi, Chrishell Stause, Jamie Lee Curtis dhe Helena Christiansen, për të përmendur disa.
Ylli i Hollywoodit iu bashkua rrjetit social për të ndarë një fotografi të një letre që kishte marrë nga një vajzë adoleshente në Afganistan, ku talebanët kohët e fundit morën kontrollin e vendit.
Postimi i Angelinës citonte: “Kjo është një letër që më është dërguar nga një vajzë adoleshente në Afganistan. Tani për tani, njerëzit e Afganistanit po humbasin aftësinë e tyre për të komunikuar në rrjetet sociale dhe për t’u shprehur lirshëm. Kështu që unë kam ardhur në Instagram për të ndarë historitë e tyre dhe zërat e atyre në të gjithë globin që po luftojnë për të drejtat e tyre themelore të njeriut”.
Ajo shtoi: “Unë isha në kufirin e Afganistanit dy javë para 11 shtatorit, ku takova refugjatë afganë që kishin ikur nga talebanët. Kjo ishte njëzet vjet më parë.
“Është e dhimbshme të shikosh afganët të zhvendosen përsëri nga frika dhe pasiguria që ka kapluar vendin e tyre”.
“Të shpenzosh kaq shumë kohë dhe para, të kesh derdhur gjak dhe jetë të humbura vetëm për të arritur në këtë, është një dështim pothuajse i pamundur për t’u kuptuar”.
Angelina u zotua të vazhdojë mbështetjen për popullin afgan. / KultPlus.com