1 Tetor, 2019 - 3:18 pm
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka vizituar sot Qendrën e Studentëve në Prishtinë, më rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2019/2020.
Në një prononcim për media, ai ka thënë se qeveria ka punuar për arsim të ulët, të mesëm e të lartë.
Haradinaj ka potencuar se nuk ka qenë më herët në Qendrën e Studentëve, pasi thotë se nuk i ka rënë ndërmend të shkonte.
“Është mirë me pa gjendjen e konvikteve. Janë 4000 studentë në konvikte dhe 2500 tjerë që kanë të drejtën në shujtë. Ushqimi ishte i mirë. Ardhja jonë e ka një mesazh, breza të studentëve kanë sakrifikuar për liri, disa kanë rënë në front të luftës, të ju kushtohemi studentëve. Qeveria ka punuar për arsimin e ultë, mesëm e lart. Zor me i nda pozitat, jam kryetar i AAK-së, kryeministri është kryeministër, një pjesë të tyre po e bëjë nga përgjegjësia si kryetar i qeverisë, është pa kuptim mos me ardh ditën që fillon mësimi. Nuk kam ardh ma herët asnjëherë, se tash m’ka ra në mend”, ka thënë ai, raporton KTV.
Ndërkaq Fatmir Sfishta, drejtori i Qendrës së Studentëve, ka thënë se sot fillon vendosja e studentëve në konvikte, duke shtuar se kjo është një ditë e veçantë.
“Pata kënaqësinë të mirëpres kryeministrin Haradinaj. Besoj që është ditë e mbarë sepse fillon vendosja e studentëve në konvikte, është funksionalizuar edhe mensa e studentëve, krejt kjo çka pamë nuk kish ardh pa përkrahjen e institucioneve të Kosovës dhe angazhimin tonë që jeta në QS të jetë më atraktive”.
Ndërkaq ministri i Arsimit në detyrë, Shyqiri Bytyqi, ka uruar studentët për fillimin e vitit të ri akademik
“Ju urojmë studentëve suksese, kemi filluar bashkë më kryeministrin në mensë për të parë si është përgatitur ushqimi, që jo vetëm të ketë akomodim por edhe ushqim cilësor”, ka thënë ai. / KultPlus.com