31 Korrik, 2019 - 1:27 pm
Rrush, verë, raki e muzikë përbëjnë edhe “menynë” e sivjetme treditore të “Hardh Festit”. “Një got’ për mot!”, është motoja e edicionit të këtij viti që mbahet prej 16 deri më 18 gusht në Rahovec. Ronnie Romero, vokalisti aktual i rock-grupit legjendar “Rainbow”, është ylli kryesor, por lista e emrave të njohur nuk përfundon me kaq.
Garaldin Shtavica, drejtori artistik i “Hardh Festit”, s’ka dyshim që Romero do ta “ndezë” Rahovecin. Ka thënë se për këtë bazohet në famën që ka marrë ai, me kërkesat e shumta për të nëpër Evropë dhe në veçantinë e zërit të tij.
“Është konsideruar si një prej zërave më të mirë aktualë, si një gërshetim i zërave të dy vokalistëve të njohur, Ronnie James Dio dhe Freddie Mercury. Është një prej vokaleve më të mira në Evropë e po ashtu edhe më të kërkuara”, ka thënë ai në konferencën të mbajtur në Prishtinë. Ai pritet të performojë në natën e dytë, por organizatorët kanë thënë se data do të zyrtarizohet së shpejti.
“Hardh Fest”, që sivjet shënon edicionin e pestë si i ribrenduar, por që ka një traditë prej 18 vjetësh, njihet për sjelljen e disa legjendave të muzikës rock në Rahovec. Më 2017, ata patën sjellë ish-vokalistin e “Deep Purple” dhe ”Rainbow”, Joe Lynn Turner.
Pjesë e perfomancave të artistëve ndërkombëtarë do të jetë edhe grupi më i famshëm i rockut alternativ në Hungari, “The Moog”. I njohur për hitin “When i See You”, është një nga grupet e para hungareze që ka lidhur kontratë me kompani amerikane të muzikës. Pikërisht ky grup do ta bëjë hapjen. As rocku shqiptar nuk do të mungojë këtë vit. “3 Musketjerët”, janë në mesin e ofertës. /KultPlus.com