16 Shtator, 2024 - 2:10 pm
Florim Isufi ka reaguar për një hartë të botës që është e vendosur brenda hapësirës së Fakultetit Filologjik, hartë në të cilën mungon Kosova dhe Shqipëria, shkruan KultPlus.
Isufi ka reaguar nëpërmjet rrjeteve sociale duke bërë thirrje që kjo hartë ose duhet të përmirësohet, ose duhet të largohet nga hapësira e Fakultetit Filologjik.
Më poshtë po ju sjellim reagimin e plotë të profesorit Isufi.
Sot vrejta se në ambientet e mbrendshme të Fakultetit Filologjikë, ku frekuentojnë edhe stafi e studentët e FSHMN-së dhe të Departamentit të Gjeografisë, ishte vendosur një hartë e botës ku prezantohen shtetet e saj.
Ajo çka bije në sy është se Kosova dhe Shqipëria nuk janë paraqitur në këtë hartë, ndërsa përkundër paraqitjes së shteteve të ndara nga ish BRSS, në territorin e Ballkanit është paraqitur ish-Jugosllavia me Shqipërinë në të.
Duke mos hyrë në atë se kush është autori, qëllimin e prezantimit të kësaj harte në këtë kohë, mesazhin, kohëzgjatjen e shfaqjes në publikë, ambientin e përzgjedhur, strukturën e frekuentuesve etj, konsideroj që kjo dukuri e shfaqjes së hartave gjithandej edhe në libra shkollorë pa prezencën e Kosovës është e dëmshme dhe jo reale. Harta të tilla edhe nëse nuk konsiderohen me peshë, ato mbesin në historinë hartografike dhe pas një kohe të gjatë shërbejnë për devijimin e historisë.
Besoj që dekani i Fakultetit Filologjik dhe ai i FSHMN-së së bashku me rektorin e UP “Hasan Prishtina” ta largojnë këtë hartë nga këto ambiente ose ta përmirësojnë duke i shtuar edhe dy shtetet shqiptare./ KultPlus.com