17 Nëntor, 2023 - 5:59 pm
Politika serbe po ndërton narracion të urrejtjes ndëretnike dhe po vazhdon me nxitje të konfliktit përmes filmit e instrumenteve tjera të kulturës, të cilat në kushte normale do të duhet të ishin në funksion të demokracisë e bashkëjetesës.
Bazuar në raportimet e mediave serbe, kanë filluar xhirimet e filmit “Harvest” i mbështetur financiarisht nga shteti serb e i cili lidhet me “Shtëpinë e Verdhë” në Shqipëri ku serbët pretentojnë që është kryer trafikim organesh nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pretendime fiktive dhe shpifje që nuk u vërtetuan asnjëherë nga autoritetet ndërkombëtare.
Ky nuk është filmi i parë me propagandë të Serbisë. Ngjashëm ishte realizuar edhe filmi dokumentar me metrazh të gjatë “Shtëpia e Verdhë” i autores Slagjana Zariq.
Tentativat e tyre të vazhdueshme për të deformuar realitetin, si në rastin e filmit “Harvest”, duhet të alarmojnë autoritetet relevante dhe bashkësinë ndërkombëtare.
E trishtë dhe e papranueshme të shohim se një mjet kulturor si filmi po keqpërdoret për të shpërndarë propagandë. Por, përtej tentativave për të rishkruar historinë përmes kinematografisë, e vërteta triumfon gjithmonë në sfidë me propagandën./KultPlus.com