25 Gusht, 2023 - 6:04 pm
Si sot, më 25 gusht 1900, lindi Prof. Hasan Ceka, njeriu që vuri themelet e arkeologjisë shqiptare.
Hasan Ceka studioi në Vjenë ku u dallua si student i shkëlqyer. Pas kthimit në Shqipëri, në vitin 1930, punoi në Bibliotekën Kombëtare, krijoi një koleksion arkeologjik, të cilin edhe sot e trashëgon Biblioteka e Institutit të Arkeologjisë, ndërsa ka përfaqësuar Shqipërinë pranë misioneve të huaja arkeologjike në Apolloni e Butrint.
Në vitin 1947 drejtoi ekspeditën e parë arkeologjike në Apolloni si dhe punën për krijimin e Muzeut Arkeologjik Etnografik në Tiranë. Në 1956-të kthehet në Apolloni për t’ia kushtuar qytetit antik tërë veprimtarinë e tij kërkimore e studimore. Cekës i takon merita e zbulimit të një kompleksi arkitektonik në afërsi të ndërtesës së Agonoteteve, e nimfeut të qytetit dhe e shumë veprave të tjera.
Prof. Ceka u nda nga jeta më 2 nëntor 1998.
DPA ka publikuar edhe një fotografi nga Prof. Hasan Ceka si dhe promemoria mbi ndërtimin dhe formimin e Muzeut Kombëtar nga arkeologu, Hasan Ceka, e cila ruhet në AQSH. / KultPlus.com