“Have Hope” porta e mbështetjes për të mbijetuarat e kancerit

22 Mars, 2023 - 7:48 pm

“Have Hope” nëpërmjet një ceremonie zyrtare tashmë zyrtarisht është organizatë që synon të mbështesë të mbijetuarat e kancerit në Kosovë, organizatë që është themeluar nga Arnisa Osmani e cila poashtu është e mbijetuar e kancerit, shkruan KultPlus.

Osmani duke falënderuar të pranishmit në ceremoninë e hapjes së kësaj organizate ka thënë se në këtë zyrë do të zhvillohen shumë takime me mjekë, onkologë, sociologë, psikologë, sikurse që do të zhvillohen kampanja vetëdijesuese për parandalimin e kësaj sëmundjeje.

“Jam këtu për ju, dhe me ju. Bashkë do të jemi forcë më e madhe që të tregojmë sa e bukur është jeta”, ka thënë Osmani e cila qysh sot ka bërë thirrje që të gjithë ata që kanë nevojë mund të drejtohen në zyrën e “Have Hope.

Ndërkohë drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku ka premtuar që do të bashkëpunojë me organizatën “Have Hope”, organizatë që e ka vlerësuar edhe si partner të Drejtorisë së Shëndetësisë.

“Do të punojmë ngushtë në mënyrë që të rrisim shpresën për gratë me kancer, sikurse që të punojmë bashkë në inkurajimin e grave që të bëjnë sa më shumë kontrolla mjekësore”, ka thënë Sadiku.

Kurse onkologu Arben Bislimi organizatën “Have Hope” e ka vlerësuar si një adresë të përbashkët për këtë kauzë që ka për qëllim ofrimin e shumë shërbimeve për gratë më kancer.

“Në emër të Klinikës së Onkologjisë dhe Shoqatës së Onkologëve të Kosovës do të vazhdojmë në përkrahjen profesionale, por e vetmja armë është zbulimi i hershëm i kancerit”, ka thënë Bislimi.

E në emër të Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rugova është shprehur të jetë krenare për punën që bëhet për mbështetjen e grave me kancer.

“Para dy dekadave ishte tabu të flitej për këtë sëmundje, por sot është një situatë tjetër, sepse në këtë ndërtesë po hapet kjo organizatë pikërisht në përkrahje të këtyre grave”, ka thënë Rugova, e cila ka vlerësuar edhe mbështetjen e institucioneve shtetërore për mbështetjen e këtyre grave.

Në hapjen e organizatës “Have Hope” , shërbimet do të jene falas, e para të pranishmëve për këtë çështje ka njoftuar psikologia e kësaj organizate Arbnora Rama.

Për fund themeluesja dhe drejtuesja e kësaj organizate Arnisa Osmani është shprehur të jetë e bekuar që është e rrethuar me shumë njerëz që kanë ndihmuar në këtë iniciativë, e cila ka bërë thirrje që të gjithë ata që kanë nevojë për shërbimet e kësaj organizate mund të drejtohen edhe nëpërmjet rrjeteve sociale të kësaj organizate. / KultPlus.com

 

Të ngjajshme