Hekurudha “Kuq e Zi”, Balluku: Një tjetër ëndërr e shqiptarëve do të bëhet realitet

15 Prill, 2025 - 12:08 pm

Të hënën është prezantuar studimi i fizibilitetit dhe projekt-idesë për hekurudhën Durrës-Prishtinë, në një ceremoni të mbajtur në Shkodër.

Përmes rrjeteve sociale, ministrja e Infrastrukturës në Shqipëri, Belinda Balluku, ka publikuar një video të projektit se si do të jetë hekurudha.

“Një tjetër ëndërr e shqiptarëve do të bëhet realitet. Hekurudha Kuq e Zi tashmë merr udhë”, ka shkruar ajo.

Ditën e djeshme ajo ka njoftuar se kjo hekurudhë do të jetë 105.8 kilometra e gjatë, do t’i ketë 43 ura, 14 tunele dhe shtatë stacione të reja. Përgjatë rrugës, ajo do të kalojë nga Shkodra në Gjakovë.

Sipas projektit të prezantuar, do të jenë nëntë udhëtime të trenit për pasagjerë që do të qarkullojnë në ditë. Nëse treni ndalet në çdo stacion, udhëtimi i plotë do të jetë nga Durrësi në Prishtinë për 5 orë e 54 minuta. Ndërsa nëse bëhet fjalë për trena rajonalë që ndalen vetëm në stacionet kryesore rruga do të jetë më e shkurtër – tri orë e 40 minuta.

Vlerësimi aktual është se i gjithë projekti do të kushtojë 1.8 miliardë euro.

Sa i përket afatit, ai më optimisti është që për 10 vjet të mbërrihet te treni i parë që do ta shfrytëzojë këtë hekurudhë./KultPlus.com

Të ngjajshme