17 Korrik, 2023 - 4:49 pm
Hemisfera Veriore filloi sot një javë të re të nxehti, me temperatura që pritet të kalojnë shpejt 40°C në Itali dhe Spanjë, temperatura rekord në Kinë dhe zjarre shkatërruese në Kanada dhe Kaliforni.
Deri në 48°C priten në fillim të javës në Sardenjë, një ishull italian në Mesdhe.
”Dhe Roma po përgatitet të arrijë 42°C të martën, një nivel më i lartë i të gjitha kohërave për kryeqytetin”, sipas faqes së motit të Forcave Ajrore Italiane.
Në Spanjë, e cila tashmë po del nga një javë e tillë, agjencia meteorologjike lëshoi një alarm portokalli për sot, me temperatura anormalisht të larta, nga 38° deri në 42°C, në një pjesë të madhe të vendit 5 deri në 10°C mbi mesataren e sezonit.
Alarmi është edhe i kuq (rrezik ekstrem) në zona të caktuara të Andaluzisë (në jug), ku merkuri mund të kalojë 44ºC.
Situata do të përkeqësohet të martën pasi në disa vende do të jetë 10 deri në 15°C mbi normalen.
Alarmi do të kthehet në të kuq mbi Aragon (në veri), Katalonjë (verilindje) dhe ishullin e Majorkas (në lindje), me 42° deri në 44°C.
Në ishullin La Palma, në Kanarie në brigjet e Afrikës, një zjarr tashmë në rënie, shkatërroi 5 000 hektarë këtë fundjavë.
Në vitin 2022, rreth 500 zjarre gllabëruan më shumë se 300 000 hektarë në Spanjë, një rekord në Evropë.
Episodi i nxehtësisë intensive duhet të zgjasë deri të mërkurën, përpara se të largohet nga e enjtja.
Në Francë, temperaturat duhet të arrijnë 40° të martën në juglindje të vendit, sipas Météo-France.
Pjesa tjetër e territorit do të jetë relativisht e kursyer nga vala e të nxehtit.
– Tropikalizimi i klimës –
Në Evropë, ngrohja është dy herë më e shpejtë se mesatarja globale, sipas ekspertëve, dhe veçanërisht vendet mesdhetare janë të prekura.
“Ajri i nxehtë që përgjithësisht zbret në kepin e Afrikës duke krijuar shkretëtira, është zhvendosur drejt Evropës. Në këtë kuptim mund të flasim për një tropikalizimin e klimës”, shpjegon Claudio Cassardo, meteorolog dhe profesor në Universitetin e Torinos.
Në Romë, megjithatë, vapa nuk i ka dekurajuar vizitorët, të cilët janë në radhë përpara Koloseumit dhe Forumit Romak, pavarësisht se një termometër tashmë tregon 32°C në orën 10:30.
“Unë vij nga Afrika e Jugut, ne jemi mësuar me këtë nxehtësi. Në shtëpi ndonjëherë është deri në 50 gradë”, thotë Jacob Vreunissen, 60 vjeç, një inxhinier ndërtimi në Cape Town, i cili megjithatë pranon se fle me ajër të kondicionuar.
“Me disa shishe ujë të freskët në çantë, është mirë”, siguron gjithashtu Olivier Litsker, 54-vjeçari francez.
Në Greqi, ku temperaturat pritet të ulen lehtë (pritet deri në 41° pavarësisht gjithçkaje në qendër të vendit), Akropoli i Athinës u rihap normalisht të hënën, pas tre ditësh mbyllje në orët më të nxehta të ditës.
Autoritetet kërkuan kujdes dhe paralajmëruan për “rritje të rrezikut” të zjarreve.
Në SHBA, shërbimet e motit vëzhgojnë një valë të nxehti “shtypëse” në jug të vendit dhe parashikojnë disa rekorde të temperaturës.
Në Death Valley, në Kaliforni, një nga vendet më të nxehta në planet, termometri tregoi 51°C të shtunën në mbrëmje.
Disa zjarre shumë të dhunshme në Kaliforninë jugore kanë shkatërruar më shumë se 3 000 hektarë dhe kanë çuar në evakuimin e popullsisë.
Në Florida, qyteti i Miamit lëshoi alarmin e tij të parë për “nxehtësi të tepërt” në historinë e tij, duke paralajmëruar për “nxehtësi përvëluese” që do të vijë.
Pjesë të tjera të SHBA janë në rrezik të motit të keq.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit “stuhi të forta deri në të forta, shira të dendur dhe përmbytje janë të mundshme në shumë vende, veçanërisht dhe për fat të keq në New England, tashmë të ngopur nga reshjet e fundit”.
Një përmbytje e shpejtë vrau katër persona të shtunën në veri të Filadelfias, Pensilvani dhe tre të tjerë rezultuan të zhdukur atje të dielën.
Në Kanada, më shumë se 10 milionë hektarë janë djegur tashmë këtë vit, sipas një raporti ende të përkohshëm me 906 zjarre ende aktive të shtunën, duke përfshirë 570 të konsideruara jashtë kontrollit, sipas shifrave kombëtare nga Qendra Kanadeze e Zjarrit Ndërinstitucional të Pyjeve (CIFFC).
”Dy zjarrfikës vdiqën duke luftuar me zjarret”, thanë autoritetet./atsh/KultPlus.com