28 Prill, 2021 - 2:06 pm
Paralajmërimi për heqjen e notimit diferencial për nxënësit e klasave 1 deri në 5, ka ngjallur dilema se cili do të jetë ndikimi që mund të ketë tek nxënësit.
Ata që e vlerësojnë si hap pozitiv dhe që do të hiqte stresin e nxënësve për notat, kanë dilemat se si një gjë e tillë do të menaxhohej pastaj në klasën e 6-të, kur nxënësit do të përballeshin edhe me notim, dhe me mësim lëndor.
Ndërsa, ata që janë kundër largimit të notave, thonë se kjo do të ndikonte në uljen e motivimit të nxënësve për mësim.
Aktualisht në vendin tonë nxënësit e klasave 1 dhe 2 nuk vlerësohen me notim diferencial, por vlerësohen me komente konstruktive të standardizuara kundrejt rezultateve të të nxënit.
Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, nuk kanë kthyer përgjigje se a kanë një plan konkret rreth largimit të notimit diferencial për nxënësit e ciklit fillor dhe kur pritet të realizohet një gjë e tillë.
Në anën tjetër, kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, thotë se nga MASHTI kërkojnë që të mos merren vendime pa një analizë të thellë, në mënyrë që të mos dëmtohen nxënësit me vendime dhe strategji eksperimentale.
Një reformë e tillë, sipas tij, duhet të bëhet me një strategji konkrete e cila duhet të implementohet në disa faza kohore dhe jo të jetë aty për aty.
“Ne si Këshill i Prindërve të Kosovës kërkojmë që mos të merren vendime të rëndësishme pa një analizë të thellë, në mënyrë që të mos e dëmtojmë arsimin respektivisht interesin e nxënësve me vendime dhe me strategji EKSPERIMENTALE, sepse për 20 vite fëmijët tanë kanë qenë eksperiment në arsim, gjë që fatkeqësisht edhe koha tregoi. Gjithashtu, vendimet e MASHTI-it për këso çështje duhet të merren në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin e Prindërve të Kosovës sepse po vendoset për të ardhmen edukative arsimore të fëmijëve tanë”, thuhet në përgjigje.
Reshiti potencon se asnjë veprim që prek nxënësit nuk do të ketë sukses nëse injorohet Këshilli i Prindërve të Kosovës, për çka edhe fton MASHTI-në që asnjë vendim të mos merret pa u konsultuar me ta.
E një ide të tillë që të largohet notimi diferencial e përkrahin edhe nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, megjithatë kanë dilemat e tyre se çfarë ndikimi do të kishte tek nxënësit kur të njëjtit do të dalin në klasën e 6 dhe të përballeshin edhe me notim edhe me mësim lëndor.
Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, thotë se heqja e notimit do të largonte stresin e nxënësve të cikli të ulët për notat.
“Mbase kjo ide duhet provuar dhe janë dy momente, një moment se do të hiqej stresi i fëmijëve për notat, do të hiqej presioni i mësimdhënësve nga prindërit sepse kemi informacione se prindërit një pjesë e tyre po them insistojnë në nota të larta për fëmijët e tyre dhe në këtë mënyrë mbase do të bëhej më e relaksuar mësimi nga 1-5. Por, e keqja që na frikëson është se në klasën e 6 pastaj fëmijët do të përballen me nota, do të përballen me një ndërrim total të sistemit arsimor se kalojnë te mësimi lëndor dhe mbase do të jenë mësuar pa nota dhe nuk di si do të reagojnë, si do të angazhohen kur fillon notimi i tyre. Pra, duhet studiuar mirë këtë çështje, mbase do të provohet në shtator, ne nuk e kundërshtojmë këtë gjë”, thotë ai.
Në anën tjetër, njohës të fushës së arsimit janë të ndarë rreth ndikimit që do të kishte largimi i notimit diferencial për nxënësit e ciklit fillor.
Drejtori ekzekutiv i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, thotë se largimi i notimit diferencial është një reformë e thellë e sistemit arsimor, por që një gjë e tillë deklaron se mund të ndikojë në uljen e përkushtimit të nxënësve për të mësuar.
“Largimi i vlerësimit diferencial si koncept vije nga vendet perëndimore në një sistem goxha të avancuar dhe në një kulturë më të lartë sa i përket arsimit, tash sa është e zbatueshme e njëjta tek ne kjo është diçka për të debatuar. Mirëpo, frika jonë është që largimi eventual i vlerësimit do të eliminojë atë përkushtimin që nxënësit e këtyre grupmoshave e kanë pasur. Rikujtojë që është pikërisht cikli fillor që dallon shumë më shumë sesa cikli i shkollave të mesme të ulëta dhe të larta në përkushtim të nxënësve dhe në nota më të mira. Jemi të vetëdijshëm se vlerësimi i brendshëm në të gjitha nivelet pa përjashtim nuk është real, mirëpo eliminimi i po të njëjtit për këto grup mosha dhe për këtë cikël kemi frikë që përkundrazi do të kishte kundërefekte”, thotë ai.
Krejt ndryshe mendon njohësi i çështjeve të arsimit Argjend Osmani, i cili thotë se largimi i notimit diferencial është një hap i qëlluar, por që thotë se një vendim i tillë duhet të përcillet me investime masive në infrastrukturën shkollore dhe në zhvillimin profesional të mësimdhënësve.
“Unë mendoj se ky hap është i qëlluar, por megjithatë duhet pasur parasysh që duhet të përcillet me investime masive në infrastrukturën shkollore, në zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe me krijimin e një ambienti të dashur për fëmijët ku ata do të zhvillojnë me një fjalë talentet dhe shkathtësitë e tyre…Vlerësimi mund të jetë motivim, por mund të jetë edhe demotivim për nxënësit varësisht se prej çfarë këndvështrimi analizohet. Mendoj që kjo nuk lidhet shumë me kushtet që u përmenden infrastrukturore dhe me kushtet e tjera përcjellëse në arsim, por që Qeveria definitivisht nuk guxon ta realizojë si masë të vetme, duhet ta përcjellë edhe me masa të tjera shtesë nëse me të vërtetë kanë synim që të ngrisin cilësinë e arsimit”, thotë ai.
Se largimi i vlerësimit tradicional do të ketë ndikim pozitiv tek nxënësit e thotë edhe Arian Musliu, psikolog nga Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore.
Një gjë e tillë, ai shprehet se e largon konkurrencën që shtyhet nga prindërit që fëmijët e tyre të kenë të gjitha notat 5, derisa potencon se heqja e notave nuk do të ketë ndikim në uljen e motivimit të nxënësve për mësim.
“Në psikologjinë e edukimit dhe në shkencat e të mësuarit nota nuk është aspekti motivues kryesor edhe kjo konkurrenca për të arritur të gjitha 5 nuk ndikon shumë në motivimin e brendshëm tek nxënësit. Unë mendoj që notat në këtë drejtim nuk do të ulin interesimin e nxënësve për arritje, por interesimi i nxënësve do të rritet në këtë formë. Pra, jo për shkak të eliminimit të konkurrencës po për shkak se nuk do të kenë diçka me të cilën ata do të ballafaqohen vazhdimisht, pra notën. Nga ana tjetër ne i marrim shembull gjithmonë notat pozitive, pra 5, 4, po eliminojmë ndikimin negativ që kanë notat negative që është shumë më i madh sesa ndikimi pozitiv i tyre, pra notat 1, 2 ose edhe 3 në raste të caktuara”, thotë ai.
Musliu thotë se më pastaj mësimdhënësit do të duhej t’i përgatisnin nxënësit të cilët kalojnë nga klasa 5 në të 6 me idenë se tashmë do të vlerësohen me notë.
Çështja e notimit për klasat 1 dhe 2 është rregulluar me udhëzim administrativ në vitin 2016, ku në nenin 3 pika 3.7.2 thuhet se nxënësit e shkallës I(klasa para fillore dhe klasat 1-2) nuk vlerësohen me notë numerike por vlerësohen me komente konstruktive të standardizuara kundrejt rezultateve të të nxënit. / Gazeta Express / KultPlus.com