22 Korrik, 2024 - 9:29 am
U lind në Tragjas, në vitin 1920. Mori pjesë në LANÇ që në fillimet e saj. U rreshtua në radhët partizane dhe u shqua për trimëri e sakrifica. Ishte si një motër e dashur për shokët e saj partizanë.
Në nëntor 1943, rreshtohet në Brigadën V Sulmuese me detyrë komandante skuadre, më vonë komandante kompanie. Ajo e komandoi kompaninë me sukses në shumë luftime dhe u rrëmbente partizanëve e partizaneve një mirënjohje të veçantë. Emri i komandantes Zonja Çurre u bë i njohur për luftëtarët e Brigadës Partizane.
Ra heroikisht më 22 korrik 1944, në luftimet e përgjakshme me mercenarët në Qafëshkallë të Klosit, në rrethin e Matit.
Zonja Çurre është shpallur “Hero i Popullit”.
Në një shkëmb, në afërsi të fshatit Klos të rrethit të Matit, ishte ulur Zonja Çurre, zv/komandante e kompanisë së parë të batalionit katërt të Brigadës V Sulmuese, oficere me gradën aspirante, të dhënë nga Kongresi i Përmetit.
Me qëndrimin e saj si shqiponja mbi shkëmb, ajo mbante në duart e saj mitralozin që nuk e ndante kurrë. Rrinte e mendonte. Për çfarë mendonte kjo sokoleshë mali? Fytyra e saj e çiltër, flokët kaçurrela që i dilnin nga bustina me yllin partizan, syri i saj si shqiponjë, tregonin se nuk qenë mendime brengash, por që e bënin Zonjën të ishte krenare.
Lindur në Tragjas të Vlorës më 1920, ajo që në vitin 1942, ishte përgjegjëse e të rejave antifashiste të fshatit të saj. Kujtonte kohën kur, në dhjetor 1942 dhe në korrik 1943, ishte bashkë me partizanët e çetave në luftimet e ashpra që u bënë në fshatin e saj. Ajo nuk kurseu asgjë, por në ato kohë të vështira, ndau kafshatën e gojës me shokët e saj dhe me shembullin personal, u bë burim frymëzimi për shokët më të rinj.
Në janar të vitit 1944, Zonja rreshtohet partizane në Brigadën V Sulmuese, në Bramyshje, ku iu dha detyra e skuadërkomandantes, që ajo e kreu me aq trimëri dhe heroizëm.
Në Operacionin armik të Dimrit (1943-1944) kur në shpellat e Vunoit dhe në kishën e Shëndellisë, në atë acar të shkurtit 1944, ajo nuk u mposht nga lodhja, pagjumësia, uria, por qëndroi me heroizëm. Bashkë me shokët e saj. Ishte në detyrën e vështirë që iu ngarkua me skuadrën në kulmin e operacionit për të siguruar lidhjen me një nënrepart të brigadës, duke kaluar Qafën e Shëngjergjit. Ajo kujtonte qëndrimin heroik të shokëve, sesi luftoi dhe ra Lilo Asllani, si luftoi Petro Dhimitri që u plagos rëndë dhe u la në një shtëpi fshati dhe kur e rrethuan gjermano-ballistët, ai nuk ra në duart e tyre, por me dy granata të ndezura u hodh mbi armiqtë, duke shkaktuar panik dhe kërdi mbi ta. Kujtonte Kujtim Hoxhën e Azbi Metën, që acari u mori jetën. Kujtonte përpjekjet e saj, me këmbë të përgjakura dhe shokët në krah për të plotësuar detyrën, kujtonte rrugën luftarake plot heroizëm të Brigadës, nga Përmeti deri në Mat. Kjo luftëtare e papërmbajtur, ishte shumë e thjeshtë dhe e respektuar si motër, me shokët partizanë, prandaj dhe e donin shumë.
Qeshte me gjithë shpirt kur i kujtohej episodi i Halim Xhelos me Qazim Mulletin. Episodi ishte ky: Kur posta e xhandarmërisë kuislinge në Tujan të Tiranës, ra në duart e partizanëve dhe Halimi ngriti receptorin e telefonit se po binte zilja, dëgjoi zërin e Qazim Mulletit, Prefekti kuisling i Tiranës, me histerizëm u jepte urdhra xhandarëve si të luftonin kundër partizanëve.
Halimi iu përgjigj, duke u tallur me të se në telefon po fliste me Halim Xhelon, komandant i batalionit të dytë të Brigadës V Sulmuese dhe shtoi, na prit se po vijmë në Tiranë. Qeshnim të gjithë bashkë, duke përfytyruar se në ç’situatë qesharake ishte katandisur prefekti tradhtar. Kur lexonin gazetën e Brigadës “Buçima”, Zonjës i pëlqente të komentonim artikujt e saj dhe thoshte: “Më e ëmbël është vdekja, se jeta në robëri!”
Më 22 korrik 1944, Brigada zhvilloi luftime të ashpra. Batalioni i katërt luftoi në Qafë Shkallë të Klosit (Mat) Në këto luftime me një trimëri të rrallë luftoi dhe ra Zonja Çurre, Heroinë e Popullit. Lajmi i rënies heroike të saj u përhap edhe në brigadat e tjera, duke u bërë shembull frymëzimi për të gjithë partizanët që luftonin për çlirimin e Shqipërisë./KultPlus.com