10 Janar, 2024 - 7:00 pm
Më 10 janar 1504 në Venedik u botua latinisht vepra e Marin Barletit, “De obsidione Scodrensi”- “Rrethimi i Shkodrës”, i vlerësuar si një nga veprat më të njohura historike që bëri të njohur luftën e shqiptarëve kundër perandorisë osmane në mesjetë.
Libri është ndarë në tre kapituj, dhe përshkruan kujtimet e autorit për ngjarjet e rrethimit të dytë të Shkodrës në vitin 1478. Në kapitullin (librin) e parë është parathënia që i kushtohet dukës së Venedikut Leonard Loredano, ndërsa më pas teksti bën fjalë për prejardhjen e turqve, deri me pushtimin e Konstantinopojës me 1453, për të përfunduar me shënimet historike rreth Shkodrës dhe përshkrimin e pozitës së saj. Në kapitullin e dytë që është më voluminozi dhe pjesa qendrore e librit, flitet konkretisht mbi rrethimin e Shkodrës në vitin 1474 dhe 1478.
Aty përshkruhen operacionet e rrethimit, sulmet, dhe mbrojtja heroike e Kalasë nga shqiptarët. Ndërsa në fund, në kapitullin e tretë, prezantohen në formë të sintezës ngjarjet e rrethimit të Shkodrës, si dhe dorëzimin e saj nga ana e venedikasve përfaqësuesve të Perandorisë Osmane. Kjo vepër është shkruar në latinisht dhe u botua për herë të parë në Venedik më 1504, pothuajse 100 vjet pas lindjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Përkthimin e saj në shqip për herë të parë e realizoi studiuesi i shquar Henrik Lacaj më 1962, në përvjetorin e 50-të të Pavarësisë së Shqipërisë.
Më vonë është ribotuar në gjuhën shqipe shtëpia botuese Onfuri më 2012, duke u mundësuar lexuesve shqiptarë për ta njohur përmes saj historinë e vendit e vlerat e kombit shqiptar.
Dom Marin Barleti (rreth 1450 – 1512), i njohur edhe si Dom Marinus Barletius, çmohet si historiani i parë shqiptar. Prift katolik dhe qytetar i Shkodrës, ai qe dëshmitar e luftëtar në dy rrethime osmane të këtij qyteti. Kur Venediku, së fundmi, ua dorëzoi Shkodrën osmanëve, si shumë bashkatdhetarë të tjerë të rinj, ai emigroi në Itali. U vendos në Padova e në këtë dioqezë kishtare, Dom Marin Barleti, apo Barleci, shërbeu i prift famullitarë e më vonë, si rektor i Kishës së Shën Shtjefnit.
Megjithëse “Rrethimi i Shkodrës” ishte vepra e tij e parë, ai njihet më shumë për veprën e tij të dytë “Historia e Skënderbeut”. Barleti tërhoqi vëmendjen e lexuesit europian të shekullit XVI, i cili me turqit në portat e Vjenës më 1529, po shqetësohej gjithnjë e më shumë për mundësinë e pushtimit të të gjithë Europës Perëndimore nga osmanët. /dp/ KultPlus.com