17 Prill, 2021 - 10:29 am
Presidenti i Republikës, Ilir Meta përkujtoi betejën historike të Topanasë së 18 tetorit 1942 në Vlorë, duke vlerësuar me Dekoratën “Nderi i Kombit” katër heronjtë, të cilët dhanë jetën e tyre të re për lirinë dhe sovranitetin e Atdheut.
Kreu i Shtetit nderoi me Titullin e lartë (pas vdekjes) Hajredin Bylishin “Për kontributin e shquar deri në flijimin e jetës në mbrojtje të lirisë interesit kombëtar dhe pavarësinë së vendit, Një ndër heronjtë dhe luftëtarët më të shquar në betejën e Topanasë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, shembull frymëzimi për shqiptarët e gjithë brezave”.
Hiqmet Buzin “Si një ndër heronjtë dhe luftëtarët më të shquar në betejën e Topanasë në Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Për kontributin e shquar deri në flijimin e jetës në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe interesit kombëtar, duke u bërë shembull frymëzimi për shqiptarët e gjithë brezave.”
Bajram Tushën “Për kontributin e shquar deri në flijimin e jetës në mbrojtje të lirisë interesit kombëtar dhe pavarësinë së vendit, Një ndër heronjtë dhe luftëtarët më të shquar në betejën e Topanasë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, shembull frymëzimi për shqiptarët e gjithë brezave.”;
Si dhe Mumin Selamin “Si një ndër heronjtë dhe luftëtarët më të shquar në betejën e Topanas në Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Për kontributin e shquar deri në flijimin e jetës në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe interesit kombëtar, duke u bërë shembull frymëzimi për shqiptarët e gjithë brezave.”
Presidenti i Republikës çmoi gjithashtu Heroin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Resul Veli (Çelaj) “Për përkushtimin atdhetar, betejat e sakrificat deri në flijimin e jetës në mbrojtje të lirisë. Një ndër heronjtë dhe luftëtarët legjendarë në qëndresën dhe drejtimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Burim frymëzimi për të gjitha gjeneratat e reja”.
Në fjalën e tij Meta u shpreh se, “Vlora dhe vlonjatët mishërojnë si rrallëkush aspiratën dhe luftën e gjithë shqiptarëve për liri e pavarësi në të gjitha kohët”.
“Betejat e vlonjatëve dhe të gjithë Labërisë për mbrojtjen e trojeve tona të lashta janë betejat për mbijetesën e vetë kombit tonë. Në çdo etapë të historisë, Vlora ka vulën e saj autentike, qysh nga Aulonët e lashtësisë, Principata e Aranitasve, kryengritjet e Pavarësisë, ngritja e Flamurit, epopeja e 1920-ës, Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe deri në ditët e sotme. Vlora ka hyrë në histori si qytet hero. Vetëm në Luftën e Antifashiste ajo i dha vendit gjakun e 870 bijve dhe bijave të saj më të mirë dëshmorë dhe 18 Heronjve të Popullit”, u shpreh Meta.
“Vlerësimi i gjakut të derdhur prej tyre për Shqipërinë është borxhi, që ne të gjithë u kemi për të gëzuar lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin në saje të sakrificës së tyre sublime. Është detyrimi ynë dhe i çdo brezi ndaj historisë sonë të përbashkët, por edhe ndaj së ardhmes europiane të Shqipërisë. Ky nderim është edhe vlerësimi e respekti ndaj vetë integritetit dhe dinjitetit tonë si shqiptarë! Ne sot nuk duhet të lejojmë nga askush që të eklipsohet drita e flakës së lirisë që ata ndezën! Lirinë mund ta mbrojmë vetëm duke forcuar demokracinë dhe duke refuzuar çdo lloj shtypje shoqërore”, tha Meta.
“I ftoj të gjithë qytetarët e Vlorës që të marrin pjesë në zgjedhjet e 25 prillit dhe të tregojnë dinjitetin e tyre, dhe njëkohësisht edhe fuqinë e tyre përmes votës së lirë e të barabartë”, përfundoi Meta. /atsh/ KultPlus.com