8 Janar, 2021 - 11:16 am
Nuk ka asnjë punë që burrat mund ta bëjnë e gratë jo.
Me këtë maksimë Himkete Imeraj e nisi rrugëtimin e saj profesional. Një ide si kjo e guximshme për kohën, i hapi rrugën që të thyejë çdo barrierë dhe sfidë që jeta mund t’ia sillte përpara.
“Gjithmonë më ka pëlqyer të thyej akullin për femrat tjera, të rrezikoj dhe asnjëherë të mos frikësohem për asgjë”, tregon Hikmetja për revistën ZA, me vendosmërinë që përçohet nga sytë e saj.
Himete Imeraj ishte policja e parë grua në Njësinë e Mbrojtjes së Afërt në Policinë e Republikës së Kosovës, e njohur për publikun edhe si truproja e Presidentes së Kosovës gjatë vitit 2011-2016, Atifete Jahjagës.
E lindur në Ucë të Istogut, Hikemtja është rritur me dashuri dhe përkushtim të madh nga prindërit e saj në një familje me nëntë fëmijë. Kujdesin ndaj saj Hikmetja u mundua tua kthente prindërve që e vogël. Me pesë vjet ajo filloi të kontribuonte në të gjitha punët e fushës dhe shtëpisë. Nuk i kishte lënë vetes zgjedhje. Donte t’i ndihmonte prindërit e saj.
Shkolla ishte gjithmonë e rëndësishme për të dhe mbështetja për këtë nuk i kishte munguar asnjëherë. Shkollare në vitet e 90-ta, Hikmetja e kishte provuar sistemin arsimor paralel. Tetë vjet i kishte vijuar mësimet në shtëpitë shkolla dhe vështirësitë e shkollimit në këtë sistem veçse e motivonin që të mësojë më shumë.
Sfidat e shkollimit shpejt u harruan kur Hikmetja pa tmerrin e luftës. Ajo ishte vetëm 15 vjeçare kur ishte dëshmitare e vrasjes së kushëririt të saj nga forcat e armatosura serbe. E pa me sytë e vetë aktin. Përvojat e tilla traumatike thyejnë shumë njerëz. Por jo Hikmeten.
Të gjitha këto përjetime në një mënyrë e drejtuan Hikmeten drejt Policisë së Kosovës.
Ky institucion po rekrutonte gjeneratën e dytë të policëve. Hikmetja ishte gati. Për t’iu bashkuar uniformë-kaltërve, asaj iu desh ta kalonte një test shumë të vështirë fizik.
“Asokohe”, rrëfen Hikmetja, “mendohej se puna në polici u takonte vetëm meshkujve, madje kishte edhe raste kur të arrestuarit rezistonin duke mos treguar respekt ndaj një femre police si pasojë e paragjykimeve të shumta që kishin”, i përshkruan ajo ditët e para nën uniformë.
Këtu e gjeti mundësinë t’i thyente stereotipet gjinore të rreshkura në shoqërinë kosovare.
“Mirëpo, kur kanë has, po flas personalisht te unë, 100% e kanë ndërru mendimin e tyre. Thoshin që ne kurrë nuk kemi mundur të mendojmë që një femër mund ta kryejë punën kështu. Madje edhe më kanë zgjedhur mua më parë se ndonjë burrë për arsye të profesionalizmit dhe gatishmërisë sime”, tregon ajo me tone krenarie.
Hikmetja kishte filluar punën si police e patrullimit fushor, për të vazhduar si police në Gjykatën Kushtetuese. Më pas ajo iu bashkëngjit Njësisë së Mbrojtjes së Afërt. Kjo njësi ka mision specifik brenda Policisë së Kosovës, i cili është mbrojtja e personave me rëndësi të veçantë të cilët janë më të rrezikuar dhe Hikmetja donte të bënte pikërisht këtë. Fakti që nuk kishte asnjë grua tjetër në këtë njësi nuk e stepi. Kjo veçse e motivoi më tutje.
Puna në këtë njësi kërkon përgatitje dhe strategji të jashtëzakonshme. Mbrojta e afërt duhet të jetë në gjendje gatishmërie gjatë gjithë kohës, t’i paraprijë çfarëdo rreziku dhe në rast nevoje edhe t’i menaxhoj ato duke reaguar shpejtë. Dhe tërë këtë ata duhet ta bëjnë në qetësi dhe në prapaskenë, larg çfarëdo vëmendje të publikut.
Por, për Hikmeten ishte e vështirë të mbetej e padukshme. Në momentin e emërimit të Presidentes Jahjaga, qytetarët vërejtën edhe një fenomen tjetër – truproje grua. Hikmetja ishte mbrojtje e afërt e Presidentes Jahjaga edhe në kohën kur ajo ishte Gjenerale në Policinë e Kosovës, por atëherë publiku nuk e njihte. Por tashmë ajo ishte truproje e Presidentes.
Me flokë të shkurta dhe të bardha, qëndrim të fortë dhe gjithnjë vigjilente, Hikmetja dallohej kudo që shkonte. Por, kjo asaj nuk i bënte aspak përshtypje. Ajo kishte përgjegjësi që të kujdesej për sigurinë e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe kjo detyrë ishte fokusi i saj.
Kohën gjatë të cilës kishte shërbyer si mbrojtje e afërt e Presidentes Jahjaga, Hikmetja e kujton me shumë krenari.
“Një gjë që me ka bërë përshtypje kur kemi udhëtuar jashtë vendit, që më ka bërë ndoshta edhe të qaj, është momenti kur e kam parë flamurin e Kosovës dhe përcjelljen e Presidentes me mbrojtje te afërt të shtetit nikoqir dhe pritjen me tepih të kuq. E kam përjetu ndjesinë e të qenit shtet”, shprehet edhe tash përplot me emocion për këto momente.
Këto momente janë të paharrueshme për Hikemten sepse ndjeu krenari, emocion dhe dinjitet. Ajo kishte punuar gjatë që të kontribuojë në një formë në forcimin e shtetit të Kosovës dhe në këto momente e shihte se si Kosova trajtohej me respektin që i takon.
“Ajo ka qenë një ndjenjë e veçantë që nuk mundem me përshkru për arsye të sfidave të mëdha që kemi pasur për t’u bërë shtet, gjatë luftës dhe para luftës, gjatë kohës se rezistencës ku shumë njerëz e kanë humbur jetën për liri. Përveç kësaj edhe ndjenja e përgjegjësisë me përfaqësu shtetin në një vend tjetër ka qenë perfekte”.
Puna në polici kërkon shumë përgatitje fizike, të cilat janë të domosdoshme për të qenë në krye të detyrës, veçanërisht në njësi si ajo e Hikmetes. Përvoja me sporte të ndryshme i ka ndihmuar në këtë. Me vite ajo është stërvitur në futboll dhe karate, anipse rrethi vazhdimisht i ka thënë që nuk janë sporte për vajza.
“Unë kam luajtur futboll me djem edhe në shkollë, e arsimtarët më thonin eja luaj basket me vajza e mos luaj futboll me djem. Por, unë kisha më shumë dëshirë të luaja futboll”.
Pavarësisht komenteve të tilla, ajo vazhdoi të luante dhe madje u ndihmoi vajzave të reja të luanin këtë sport për të cilin mendohej të ishte vetëm për djem. Për më tepër, bashkë me ato nisi të luante futboll në fusha të hapura dhe pastaj edhe u bashkangjit në klubin e Prishtinës.
Stërvitjet për karate, që i kishte filluar gjatë vitit të fundit të studimeve, i kishin ndihmuar që ta kalonte testin pranues për t’ju bashkangjitur Policisë së Kosovës. Edhe pse, sipas Hikmetes, zakonisht testet fizike për gra janë më të lehta me qëllim që të arrihet një mesatare, testi në Policinë e Kosovës asokohe ishte i njëjtë si për gra ashtu edhe për burra. Madje ndoshta edhe më i vështirë.
Testi i rekrutimit s’ishte e vetmja provë ku Hikmetja duhej ta dëshmonte veten. Gjatë punës brenda njësitit ajo ishte sfiduar nga instruktorët burra sa herë që ka pasur ushtrime. Hikmetja thotë se ata e kanë përdorur “forcën e vërtetë” për ta thyer moralisht. Por tentativat e tyre ishin të pasuksesshme. Kjo metodë e ka bërë Hikmeten edhe më të fortë dhe më këmbëngulëse drejt arritjes së qëllimeve të saj – të ushtronte edhe më shumë dhe të mos dorëzohej.
Vendosshmërinë si njërin ndër tiparet më të veçanta të karakterit Hikmetja e ka të trashëguar nga babai i saj. Në fakt, ai e kishte ndikuar më së shumti ndërtimin e karakterit të saj.
“Baba më ka ndihmu shumë. Ka qenë punëtor shumë i madh, e kam pas si model. Kam punu shumë se kam mendu se ashtu duhet”.
Një ditë e zakonshme për Hikmeten fillon në orën tetë të mëngjesit. Dita zakonisht ka orarin standard prej tetë orësh, mirëpo “në raste kur jemi në gjendje gatishmërie apo mbrojtje e afërt e ndonjë VIP-së, atëherë orari varet prej orarit të asaj apo atij VIP-i”, tregon Hikmetja. Kur punonte me Presidenten Jahjaga orari ishte deri në 13 orë.
“Mirëpo, polici është në punë 24 orë, gjithmonë duhet me qenë në gjendje gatishmërie për të mbrojtur qytetarët”.
Asgjë nuk është e paarritshme në sytë e Hikmetes. Ajo lobon fort që të gjitha vajzat që duan të veshin uniformën e Policisë së Kosovës të mos hezitojnë. Madje tregon se ofrohen trajnime të veçanta për secilin departament në polici dhe të gjitha sfidat kalohen me punë.
Tash, pas 21 vitesh pune në Policinë e Kosovës, ajo është mishëruar me profesionin. Asnjëherë nuk i kishte shkuar mendja të largohej. Por, përkundër natyrës kërkuese të profesionit të saj, Hikmetja ka energji dhe dëshiron të bëjë ende më shumë për vendin.
Duke besuar në veprën e Sokratit, i cili e kishte shembur shtetin për t’i ndihmuar rinisë, Hikmetja dëshiron ta ndihmojë rininë e vendit jo duke shembur shtetin, por përmes sportit. Në një të ardhme të afërt planifikon të krijojë një palestër sportive për fëmijë. Sportet të cilat ajo do t’iu mësoj fëmijëve janë gjimnastika dhe karateja.
“Kjo do t’u mundësojë vajzave dhe djemve të kuptojnë botën e njëri tjetrit. Të rriten të barabartë. Dhe pastaj kur të rriten dhe ballafaqohen me sfidat e jetës, nuk do ta kanë ndjenjën e superioritetit apo inferioritetit, do të janë të barabartë”.
“Vajzave të reja u sugjeroj të merren sa më shumë me sport, e në veçanti me karate”,va porosit Hikmetja, “pasiqë u shërben për vetëmbrojtje si dhe për t’iu ndihmuar atyre që t’i përballojnë sfidat e jetës më lehtë”.
Hikmetja është dëshmi e gjallë se gratë e burrat janë të barabartë edhe aty ku kërkohet forca fizike, anipse kjo barazi nuk reflektohet në statistikat gjinore të këtij njësiti ku edhe sot janë vetëm dy gra dhe rreth 100 burra. Por, përkundër kësaj, Hikmete Imeraj nuk është ‘gruaja anëtare’ e Njësisë së Mbrojtjes së Afërt të Policisë së Kosovës. Ajo është ANËTARE e këtij njësiti. Dhe deri më sot – truproja më e famshme në Kosovë. /jahjagafoundation/ KultPlus.com