26 Dhjetor, 2024 - 12:09 pm
Himara është shndërruar në epiqendrën e festimeve të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri me larmishmëri aktivitetesh artistike dhe kulturore për të gjitha moshat.
Mesnata e 24 dhjetorit u gjallërua nga shpërthimi i fishekzjarreve shumëngjyrëshe të cilat përndezën qiellin e qytetit bregdetar.
Ndërsa mëngjesi kishte të tjera surpriza për qytetarët himariotë, e veçanërisht për fëmijët të cilët u surprizuan nga një shfaqje e veçantë, ardhja e babagjyshit me një varkë nga deti dhe të mbushur me dhurata për ta.
Mbërritja e Babagjyshit nga deti, si asnjëherë më parë solli lumturi tek fëmijët dhe turistët që kishin zgjedhur bregdetin himariot për të kaluar orë festive, një organizim i jashtëzakonshëm ndryshe nga çdo vit tjetër nga Bashkia e Himarës, duke sjell për qytetarët atmosferë magjike Krishtlindjeje dhe në vigjilje të festës së fundvitit.
Vigjiljen e festës qytetarët mbushën sheshin ku ishte organizuar një koncert festiv me ndërthurje të muzikës tradicionale folk si dhe të ritmeve moderne.
Artdashësit ndoqën këngëtarë të mirënjohur si Angela Peristeri, Mateus Frroku, Gentian Selfo etj. si dhe pjesë nga Ansamblet e Himarës, Dropullit, Pilurit dhe Ansamblin “Plakat e Selosë”.
Përgjatë shëtitores së Himarës është ngritur edhe tregu i Krishtlindjes ku mbahet Panairi i artizanatit, poçerisë si dhe kulinarisë.
Panairi “Oda Himarjote” me këndin e mjeshtërisë, prodhimet artizanale si dhe workshop-et për artizanët më të mirë nga e gjithë Shqipëria, u frekuentua nga një numër i madh qytetarësh.
I pranishëm gjatë aktiviteteve ishte dhe kryebashkiaku Vangjel Tavo si dhe deputeti dhe drejtuesi politik i PS për Qarkun Vlorë, Bledi Çuçi.
Ndërsa fëmijët u angazhuan në aktivitete të tjera si piktura mbi letra artizanale, punimet me baltë apo dekorimi i biskotave “babagjysh”, aktivitet të cilin e realizuan së bashku me prindërit.
Shtëpizat e vogla prej druri ofruan prodhime dhe aktivitete nga më të ndryshmet./atsh/KultPlus.com