20 Dhjetor, 2024 - 7:25 pm
Nën titullin “Hiri yt, burim përjetësie”, Bashkia Pogradec dhe Qendra Kulturore “Lasgush Poradeci”, organizuan një aktivitet letraro-artistik në kujtim të jetës dhe veprës së poetit të dashurisë, Llazar Gusho (Lasgush Poradeci). Aktiviteti erdhi në prag të 125-vjetorit të lindjes së poetit.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe kryebashkiaku i Pogradecit, Ilir Xhakolli dhe prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole.
“I jemi mirënjohës për trashëgiminë letrare që ka lënë duke na shtuar arsyet e qenësishme për ta kujtuar gjithmonë nëpërmjet vargjeve të tij dhe si një poet që të shton krenarinë e të qenurit shqiptar”, u shpreh prefekti Jole.
Në veprën e këtij romantiku jetoi gjithmonë brenga atdhetare e mbrojtjes së kombit, dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare. Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj që u shqua për ndjeshmërinë dhe ëmbëlsinë poetike./atsh/KultPlus.com